Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga emisioni i të enjtes, ku Rama u përplas me gazetarët, e veçanërisht me Armand Shkullakun, kreut të qeverisë duket se nuk i ka dalë e keqja.
Teksa ka publikuar një video sqaruese në Facebook, kreu i qeverisë thotë se gazetari Armand Shkullaku, refuzoi të tërhiqej nga qëndrimi se “inceneratori i Elbasanit nuk punon” edhe pse “u përball me provën e sahatit të prodhimit të energjisë që prej vitit 2017”.
“Dy ditë më parë, tek Blendi Fevziu, Armand Shkullaku këmbënguli heroikisht se inceneratori i Elbasanit nuk ekziston dhe nuk ka prodhuar asnjëherë dhe asnjë orë energji elektrike nga mbetjet. Edhe përpara provës së sahatit të prodhimit të energjisë që prej vitit 2017, analisti nuk ndryshoi opinion. Përkundrazi, ai jo vetëm kërkoi ndjesë për dizinformimin e publikut, por vazhdoi propagandën mohuese sy për sy.”
Kryeministri ka publikuar edhe pamjet e një emisioni të transmetuar në KLAN pikërisht për këtë investim, ku sipas Ramës faktohet prodhimi i energjisë. Rama thekson se emisioni është porositur nga vetë Shkullaku, si drejtor në këtë televizion.
“Por nuk mbaron me kaq. Armand Shkullaku, jo vetëm e ka ditur prej kohësh se në Elbasan prodhohet energji, por ai ka porositur dhe pastaj ka transmetuar si drejtor në televizionin Klan një dokumentar të gjatë dhe të bukur për këtë ndërmarrje moderne, që ka shëruar përfundimisht kancerin e plehrave në Elbasan dhe që prodhon energji nga plehrat që nga viti 2017”, deklaron Rama.
Postimi i plotë i Ramës:
Parmbrëmë tek Fevziu Armand Shkullaku ishte në krye të luftës së panelit të armatosur me gjysëm të vërteta (që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha), për t’i bërë jehonë sulmit sharjeshpifës të Lulëzimit mbi impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan e Fier ose siç i quan Luli, me atë fodullëkun përbuzës të gjumashit kur bën sikur s’ka gjumë, “inceneratorët”.
Analisti arriti të mohonte sy për sy edhe fjalët e veta edhe vetë provën materiale, e cila rrëzoi në sy të të gjithëve gënjeshtrën ulëritëse se në impiantin e Elbasanit nuk është prodhuar kurrë energji! Por e vërteta e plotë lidhur me këtë episod, ku analisti u vu këmbëngulësisht në shërbim të Lulit, është se Shkullaku jo vetëm nuk gënjeu nga padija, po ai vetë, në cilësinë e drejtuesit të prodhimit të TV KLAN, ka bërë edhe një goxha film për inceneratorin dhe për prodhimin e energjisë nga plehrat në Elbasan disa vite më parë!
Nuk e di nëse filmi në fjalë është bërë dhe shfaqur kundrejt pagesës apo ka qenë thjesht entuziazmi për impaktin e madh pozitiv mbi mjedisin të inceneratorit të Elbasanit, por materiali të cilin mund ta gjeni të plotë në youtube ➡️ youtu.be/_nk9-3Av39Y duket se i ka pëlqyer aq shumë drejtuesit të atëhershëm të prodhimeve sa që e ka shfaqur edhe në ABC News edhe në TV KLAN!
Kush do të mësojë ca më shumë se ç’i panë sytë e ç’i dëgjuan veshët tek Fevziu gjatë atij debati haluçinant, le të ndjekë 4 minutat bashkëngjitur…