Nëse nuk do të njihje terrenin, dhe mediat që flasin tashmë prej katër ditësh, pamjet që ofrohen edhe sot nga Kakavija, të ngjajnë me ato të luftës në vendet e treta, ku qytetarët largohen nga vendi i tyre për tiu shpëtuar plumbave…
Por jo qytetarët që janë lënë në mëshirë të fatit dhe nën temperatura 40 gradë janë shtetas shqiptar që kanë kontribuar prej 30 vitesh me të ardhurat dhe punën e tyre, ndërkohë që shteti shqiptar mburret në Facebook se vetëm dje u ka çuar bukë dhe ushqime.
Fëmijë të sëmurë, të moshuar, të pangrënë dhe papirë, qytetarët janë të pashpresë që të kalojnë në drejtim të Greqisë, ndërsa kërkojnë që të ketë reagim për të zgjidhur gjendjen.
Një qytetar është shprehur për gazetaren e Fax Neës Fatmira Bajramaj, se ka prej të enjtes në mbrëmje që qendron në radhë, dhe ka lëvizur vetëm 4 kilometra, ndërsa shprehet se edhe sot nuk ka shpresa që të kalojë.
“Djali ka dy ditë pa ngrënë, kam që parmbrëmë këtu dhe kam bërë vetëm 4 kilometra, nuk kam shpresë që të kaloj. Ambulanca ka shkuar lart e poshtë, një fëmijë ka qenë me temperaturë, shteti ynë duhet të marrë masa, të bisedojnë me doganën greke, është gjynah, është gjithë ky popull këtu. Është turp që rrojmë në këtë vend, ne kishim problem dokumentesh, të gjithë kanë ardhur për hall, për letra”, shprehet qytetari.
Ndërkohë që nuk mungojnë as qytetarët që po tentojnë ta kalojnë në këmbë kufirin, me çanta në duar, teksa kanë braktisur autobusët me të cilët po udhëtonin, pasi kanë mbetur në radhë shumë larg doganës.
“Kam 5 fëmijë këtu brenda, mallkuar qofshin këta politikanë, mallkuar qofshin, na roptuan, na telendisën, por edhe kur vimë që lëmë lekët tona na kanë telendisur, fëmijët janë me temperaturë, ti çojnë në spitalet e Janinës.
Të tëra këto rrugë qorre janë për të futur makinat, na kanë telendisur, na kanë rroptuar, dy ditë dhe dy netë këtu, pa ngrënë dhe pa pirë. Janë të gjitha Fallco, janë gënjeshtra, na dhanë vetëm nga një pagure me ujë, të gjitha janë gënjeshtra, jo do punojnë 24 orë, jo nuk do bëhen tampone, nuk po bëhet asgjë”, shprehet një tjetër qytetar, që pret prej dy ditësh në radhë.
Lidhur me situatën ka reaguar pak minuta më parë dhe ministria e mbrojtjes Olta Xhaçka.
“Autoritetet diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, ndërkohë Forcat e Armatosura e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren. FA në krye të detyrës!”, shkruan Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë që gazetarja e Fax News Ervina Shehaj ndodhet në pikën e kalimit kufitar, ku sot po vihet re një lëvizje e mjeteve, ndërsa qytetarët shprehen se nevojat personale janë duke u kryer në pyll dhe në mjedis të hapur.
(E.K/Faxweb.al)