Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme lidhur me menjanimin e Luan Ramës nga LSI.
I pyetur për faktin se pse qyteti i Vlorës është i mbushur me postera “Voto nr.2”, ndërkohë që nr.1 është Luan Rama, Meta nuk dha një përgjigje direkte, por tha se procesi zgjedhor në këtë qytet është i rrezikuar publikisht.
Presidenti theksoi më tej se LSI është një forcë që është ngritur mbi emrin e Ilir Metës. Megjithatë ai shtoi se nuk dëshiron të flasë për forca të caktuara.
“Unë nuk dëshiroj të hyj në komente të tilla për forca të caktuara politike, përfshirë edhe LSI që është një forcë e themeluar mbi emrin e Ilir Metës. Se kam humbur asnjëherë vëmendjen për këtë forcë politike dhe të gjithë zhvillimet politike në vend. Nuk dëshiroj të hyj më tej në komente, por për mua mbetet i rëndësishëm procesi zgjedhor dhe ai në Vlorë është i rrezikuar publikisht edhe nga inkurajimi që kryeministri aktual dhe një ndër kandidatët e Vlorës i bën Gjiknurit, regjisorit të dosjes Dibrës që të bëjë një tërmet edhe në Vlorë. Ky është një provokim i rëndë për qytetarët se këto eksperimente në Vlorë do kishin një kosto shumë të rëndë”, tha Meta.
(E.H/Faxweb.al)