Pas derbit të kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, vijuan polemikat sa i përket gjykimit të ndeshjes, ku në kampin e kuq nuk ishin aspak të kënaqur me arbitrin.
Per rubrikën ‘Fax Sport’ me gazetaren Klevisa Alinani, ka folur ish-arbitri Amarildo Gjeçi i cili komenton pikërisht për këtë ndeshje, ku tregon po ashtu se si ka degraduar arbitrimi në Shqipëri.
“Për VAR-in duhet të kesh pamje të qarta për të dhënë një vendim. Me ato pamje që ofrohen nuk mund të japësh dot një penallti. Shyqyr që ajo ishte e tillë sepse po të ishte e kundërta, çfarë mund të kishte ndodhur? Rast i diskutueshëm është vetëm mungesa e kartonit të kuq për futbollistin e Tiranës. Sa i përket ndeshjes, Hamiti e arbitroi në menyrën më të mirë, mbase Olsi Rama ka edhe inatet e vjetra sa i përket gjykimit. VAR në atë lloj mënyre nuk mund të bëhet, janë investuar rreth 1 milion euro dhe është e turpshme që jepen ato pamje për VAR-in. Hamiti mbase nuk ka patur pamjet e duhura që ta ndihmonin. As nuk e di se si mund të jetë çertifikuar VAR-i, me 6-7 kamera është e papërceptueshme. Ajo që ndodhi në Korçë është vërtetë skandaloze.”-thotë Gjeçi.
Ish-arbitri gjithashtu tregon për ‘Fax Sport’ se cilat janë skuadrat më të dëmtuara nga arbitrimi dhe se politika është futur brenda FSHF-së. Arbitrat janë detyruar të votojnë për partinë që ka kërkuar Federata.
“Skuadrat e Partizanit, Tiranës dhe Vllaznisë janë 3 ekipet më të dëmtuara sa i përket gjykimit në tërësi, ky nuk është vetëm mendimi im, por edhe i shumë të tjerëve. Në rrethin e futbollit kjo dihet shumë qartë. Kur futet politika në mes çdo gjë prishet. Në Federatë merr pjesë politika, këtë vit ka qenë skandaloze. PS nga njëra anë dhe PD me FSHF-në bashkë nga ana tjetër. Ti thuash tjetrit voto për ‘X’ parti sepse ndryshe nuk do marrësh ndeshje për të arbitruar” – thotë ish-arbitri Gjeçi.
Sipas Gjeçit, kampionati vendoset që në fillim të sezonit dhe se arbitrat kërcënohen.
“Arbitrat ikin me shumë frikë në ndeshje, me kokën ulur. Ka Presidentë që vendosin për arbitrat, nëse nuk u plotësohen dëshirat bëjnë gjëra jashtë natyrës së njeriut. Të gjithë e dinë që në fillim se kush do e fitojë kampionatin. Edhe gazetarët e dinë këtë gjë dhe nuk e denoncojnë. Dizenjatori i arbitrave është njeriu më negativ dhe është personi që po e shkatërron arbitrimin në Shqipëri. UEFA shikon çdo gjë, por ajo është e korruptuar vetë. Imagjino se kush është futur brenda UEFA-s.
Unë dua që kolegët e mi të shkojnë të gëzuar në ndeshje, kanë frikë sepse marrin urdhëra. Është skandaloze, e turpshme, kjo që them unë është 100% e vërtetë”– thotë në përfundim Amarildo Gjeçi i cili para pak ditësh u tërhoq nga arbitrimi.
(E.H/Faxweb.al)