Analisti i njohur Mustafa Nano në një intervistë për çështjen e Teatrit shprehet se ajo që e shqetëson në këtë çështje nuk është shembja e godinës së vjetër.
Por, siç shprehet, shqetësimi i tij lidhet me paligjshmërinë dhe kompleksin e madh të kullave që pritet të ndërtohet aty ku sot ndodhet godina e vjetër.
“Masa e madhe e njerëzve, të cilët, qoftë edhe ata më teatër-dashësit, nuk duket se kanë ndonjë dashuri për atë godinë të shëmtuar”, tha ai në një intervistë në “Tematv”.
“Për mua shqetësimi im ka të bëjë së pari me një kontekst të tërë paligjshmërie, me një matricë paligjshmërie që verifikohet në këtë rast, dhe së dyti me disa ndërtime, me atë kompleksin e madh të kullave.
Nuk është se jam apriori kundër kullave, por një kompleks kullash i ndërtuar kështu, sa hap e mbyll sytë, në qendër të Kryeqytetit, pa u hedhur njëherë në një projekt urbanistik, të cilin do mund ta shihnim të gjithë, është një gjë e çmendur.
Nëse do të ndërtohej një ndërtesë e re teatri aty ku është i vjetri, pa u ndërtuar dhe ato kullat e tjera dhe pa ato shkeljet ligjore që vihen re, unë do isha dakord, do isha njeri i gëzuar si teatërdashës, sepse do bëhej një teatër i ri”, shtoi.
“Personalisht, nuk bëhem merak fare nëse shembet ajo ndërtesë, biles jo vetëm nuk
bëhem merak, por dua që ajo ndërtesë të shëmbet, tha Nano, por jo në këtë mënyrë, jo duke dhunuar ligjet e shtetit shqiptar dhe jo duke u kujtuar një mëngjes të bukur që ne aty mund të ndërtojmë edhe nja 6 kulla dhe hajde po i ndërtojmë.
Unë nuk jam me idenë që gjëra kaq të rëndësishme,kaq të mëdha, mund të bëhen kaq kollaj. Unë nuk jam me idenë që vendime për gjëra të tilla të mëdha të merren në mënyrë kaq të shkujdesur dhe kaq mendjelehtë. Mua kjo më shokon”.
Ai akuzoi kryeministrin Rama për një qasje prej sundimtari.
“Kryeministri Rama është me idenë se ideja e tij është shumë e bukur, aq e bukur sa mund t’ia lejojë vetes që të shkelë ligjin. Kjo është një qasje prej sundimtari”.
I pyetur “si e sheh fundin e kësaj historie”, u përgjigj: “Fundin e kësaj historie e shoh, që do bëhet ajo që është nisur, për fat të keq. Dhe mua s’më mbetet tjetër, veçse të uroj që ndërtesa e re e Teatrit të jetë e bukur dhe funksionale, dhe t’i lutem Zotit që ai kompleksi i kullave në qendër të Tiranës të mos dalë si një kandërr e shëmtuar në panoramën urbanistike. Dhe të shpresoj që këta të përgjigjen një ditë për shkeljet e ligjeve që po bëjnë”.
INTERVISTA E PLOTË
Ju personalisht jeni për prishjen e teatrit?
Unë shqetësimin për teatrin nuk jam në gjendje ta ndjek dhe ta kuptoj. Alarmi që
shumë njerëz ngrenë lidhur me ndërtesën e teatrit është një alarm që mua nuk më
përket. Dhe unë nuk e kuptoj tendencën për ta katandisur këtë gjë si një punë
artistësh, si një shqetësim artistësh, apo si një ndjeshmëri që ka lidhje me një
ndërtesë që është relativisht e vjetër. Ajo që po ndodh aty, sipas meje, është diçka
më e madhe se kaq. Unë kam ndjekur edhe një numër intelektualësh publikë, si
Maks Velo, Aurel Plasari, Rubens Shima, etj. I kam lexuar ndonjëherë edhe me
disponimin për t’u bërë njësh me ata, me idenë për të qenë i hapur ndaj ndikimit të
të tjerëve, me gatishmërinë për “t’u infektuar” prej tyre, por çdo gjë ka qenë e kotë.
Shqetyësimi i tyre nuk mbërrin dot deri te unë. Dhe po kështu nuk mbërrin as tek
masa e madhe e njerëzve, të cilët, qoftë edhe ata më teatër-dashësit, nuk duket se
kanë ndonjë dashuri për atë godinë të shëmtuar. Ajo ndërtesë është një karakatinë
për mua. Kjo është pika ku unë jam ok me kryeministrin Rama.
Po historia e asaj ndërtese?
Sipas meje, kjo histori emfatizohet. Më duket si një shqetësim i kërkuar, i stisur.
Cili është shqetësimi juaj atëherë?
Për mua shqetësimi im ka të bëjë së pari me një kontekst të tërë paligjshmërie, me
një matricë paligjshmërie që verifikohet në këtë rast, dhe së dyti me disa ndërtime,
me atë kompleksin e madh të kullave. Nuk është se jam apriori kundër kullave, por
një kompleks kullash i ndërtuar kështu, sa hap e mbyll sytë, në qendër të
Kryeqytetit, pa u hedhur njëherë në një project urbanistic, të cilin do mund ta
shihnim të gjithë, është një gjë e çmendur. Nëse do të ndërtohej një ndërtesë e re
teatri aty ku është I vjetri, pa u ndërtuar adhe ato kullat e tjera dhe pa ato shkeljet ligjore që vihen re, unë do isha dakord, do isha njeri i gëzuar si teatërdashës, sepse do bëhej një teatër i ri.
Për të qendruar tek pjesa ligjore. Presidenti ktheu mbrampsh ligjin e
posaçëm. Cili është komenti juaj?
Për mua në këtë rast presidenti i ka bërë jehonë shqetësimeve të kësaj natyre që
ekzistojnë lidhur me paligjshmërinë, në këtu kuptim ai i ka bërë jehonë edhe
shqetësimeve të mia personale sepse në gjithë këtë histori ka një këmbëngulje për
ta shkelur ligjin nga ana e qeverisë, nga ana e kryeministrit, nga ana e bashkisë.
Është një këmbëngulje e çuditshme se unë kam menduar gjithmonë se këta do kenë
frena, do tërhiqen në një moment të caktuar, nuk do t’ia lejojnë vetes të sillen në
këtë mënyrë. Sepse po shoh që për kryeministrin Rama ligji në këtë rast, madje
disa ligje, janë optional. Do ai, i respekton. Do ai, nuk i respekton.
Ku e keni fjalën kur thoni ligjet të shkelura?
Janë disa. Për shembull, votimi final në këshillin bashkiak do të merret me shumicë
të thjeshtë. Do duhej të merrej me shumicën e cilësuar 3/5. Kështu ka qenë.
Madje, me sa di unë, ka qenë Rama që futur këtë shumicë të cilësuar 3/5.
Shikoni, ne kemi aty një situate konkrete aty, ne kemi një pronë që është publike
dhe qeveria ka marrë vendimin për ta zhvilluar atë si prone. Dhe kjo është ok.
Është në kompetencën e kësaj qeverie që të marrë vendime. Sepse për këtë është
zgjehdur, për të marrë vendime. Për ta zhvilluar atë zonë ka një kontekst të caktuar
ligjor, ka një korpus ligjor ka një numër ligjesh, të cilat nga njëra anë të
mundësojnë ty ta zhvillosh, por nga ana tjetër të vënë limite të caktuara të cilat nuk
mund t’i kalosh. Ky është funkskioni I të gjitha ligjeve. Mirëpo kryeministri Rama
është me idenë se idea e tij është shumë e bukur, aq e bukur sa mund t’ia lejojë
vetes që të shkelë ligjin. Kjo është një qasje prej sundimtari. Një ide e bukur që
aplikohet në shkelje të ligjit është nëj ide e shëmtuar. Një ligj i keq, apo i
shëmtuar, që i bëhet një pengesë zbatimit të një ideje të bukur, duhet të vlejë më
shumë sesa një një ide e bukur që zbatohet në shkelje të ligjit. Kjo ëhstë logjika e
shtetit ligjor. Dhe një kryeministër duhet të dojë më shumë ligjin sesa idetë e
bukura. Sepse ideja e bukur ëhstë një gjë që është në kokën e tij, e nuk është e
thënë të jetë në kokën e të tjerëve, ndërsa ligji, edhe I shëmtuar qoftë, duhet të jetë
në kokën e të gjthëve. Të mbrosh një ligj qoftë edhe një ligj i keq ti i bën vendit një
shërbim më të madh se sa kur kur ti i jep vendit një ide medemek të bukur duke
shkelur ligjin. Unë, me formimin tim, me kulturën time, me edukatën time, nuk
njoh asnjë alibi të dhunimit të ligjit në emër të një gëjje të mirë, të bukur. Gjëja e
mirë, e bukur, ëhstë të zbatojmë ligjin.
Në rastin tonë ne jemi në rrethanat që ekziston një korpus i caktuar ligjor, mbi
bazën e të cilave duhet bërë ajo ndërhyrje. Dhe ky korpus ligjor as që i bëhet
pengesë “idesë së bukur”. Kemi një pronë publike që duhet privatizuar mbi bazën e
ligjit për privatizimin, kemi një ligj për Partneritetin Publik-Privat, nëse do të ecet
në këtë linjë, kemi një ligj për koncesionet, kemi një ligj për tenderat, kemi një ligj
për ankandet. Pra ka një kornizë të caktuar ligjore dhe e gjitha duhet bërë brenda
kësaj kornize, mund të bëhet brenda kësaj kornize. Mund të jetë një shteg i ngushtë
ligjor, por ok, nuk ka rrugë tjetër. E vetmja rrugë për të kaluar ëhstë ky shteg i
ngushtë ligjor. Por këta, me ç’duket, nuk kanë pasur në kokë atë idenë e bukur të
cilën unë supozova. Këta kanë pasur në kokë gjëra të tjera, të cilave ligjet u bëhen
pengesë. Dhe prandaj, atë shtegun ligjor e kanë shndërruar në autostradë. Nuk e
kalojmë dot në këshillin bashkiak? Punë e madhe. E çojmë në parlament, dhe e
bëjmë një ligj të posaçëm. Janë shumë strukturat e agjencitë që duhen përfshirë në
këtë histrori? Ok, i bëjmë pak. E bëjmë lojën me pak lojtarë, madje me vetëm tre:
Kryeministria, Bashkia, parlamenti. E kështu me radhë. Mund të na hyjnë
biznesmenë të tjerë në lojë? Ok, ua bëjmë të pamundur për të hyrë. Duke mos u
lënë shumë kohë në dispozicion. E kështu me radhë.
Lidhur me këtë çështje është përfshirë edhe Komisioni Europian. Ku ligji i
posaçëm ai i pari, i’u dërgua KE për të pasur një gjykim. Komisioni Europian
tha që nuk ndërhyjmë në Kushtetutën e Shqipërisë, po ama ligji duhet të
sigurojë garë të hapur. Cili është komenti juaj?
Ky është një vëzhgim interesant dhe mund ta ndihmonte edhe mazhorancën, pasi
mazhoranca kishte rastin që ta shihte këtë ndërhyrje të Komisionit si një alibi për
justifikuar një hap prapa. Por mazhoranca e interpretoi në mënyrën e vet. U kap
pas merakut të KE-së për konkurencën e lirë, dhe kështu na e hodhi këtë material
në fytyrë, duke na thënë: e patë? Vetëm kaq ka qenë kusuri ynë, dhe ptrandaj
mbylleni gojën. Kjo është një gjë tjetër e papranueshme dhe fyese. Neve nuk ka
pse të na interesojë në mënyrë të veçantë përgjigja e Komisionit Europian. Për ne
është e qartë çdo gjë.
Kemi para edhe oponencën, qoftë nga artistët qoftë edhe nga opozita e cila i
është bashkuar artistëve. Kta të fundit janë shprehur se do vijojnë protestën.
Jo atë lloj proteste siç kanë bërë deri më sot, por kanë kërcënuar edhe me
ngujim brenda godinës së Teatrit Kombëtarë. Do të sillte ndonjë zgjidhje?
Unë e thashë. Kjo nuk është punë artistësh. Është një lojë politike që i ka vendosur
në qendër të vëmendjes, apo që këtë çështje e ka katandisur te meraku për një
ndërtesë “të shenjtë”. Kjo ëhstë një lojë e atyre që duan të rrëzojnë Edi Ramën, dhe
jo ndonjë betejë e atyre që u dhimbset ndërtesa e Teatrit. Këtu unë përjashtoj Maks
Velon, Aurel Plasarin e ndonjë tjetër që, nga mënyra se si kanë folur, duket që ajo
ndërtesë u dhemb, por sa për të tjerët, ata mua më duken se janë pjesë e kësaj
historie me një axhendë politike. Dhe e kanë transformuar tërë kauzën. Edhe duke
e zvogëluar. Aty po ndërtohet një gjë stërmadhe që do ia ndryshojë fytyrën
qendrës, e gjithë Tiranës, këta janë fiksuar pas një ndërtese të kalbur.
Persoanlisht, nuk bëhem merak fare nëse shembet ajo ndërtesë, biles jo vetëm nuk
bëhem merak, por dua që ajo ndërtesë të shëmbet. Por jo në këtë mënyrë, jo duke
dhunuar ligjet e shtetit shqiptar dhe jo duke u kujtuar një mëngjes të bukur që ne
aty mund të ndërtojmë edhe nja 6 kulla dhe hajde po i ndërtojmë. Unë nuk jam me
idenë që gjëra kaq të rëndësishme,kaq të mëdha, mund të bëhen kaq kollaj. Unë
nuk jam me idenë që vendime për gjëra të tilla të mëdha të merren në mënyrë kaq
të shkujdesur dhe kaq mendjelehtë. Mua kjo më shokon.
Si e shihni fundin e kësaj historie?
Fundin e kësaj historie e shoh, që do bëhet ajo që është nisur, për fat të keq. Dhe
mua s’më mbetet tjetër, veçse të uroj që ndërtesa e re e Teatrit të jetë e bukur dhe
funksionale, dhe t’i lutem Zotit që ai kompleksi i kullave në qendër të Tiranës të
mos dalë si një kandërr e shëmtuar në panoramën urbanistike. Dhe të shpresoj që
këta të përgjigjen një ditë për shkeljet e ligjeve që po bëjnë.