Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet për Lirimin e Naser Gashit, i shpallur në kërkim ndërkombëtarë për trafik të lëndëve narkotike.
Hetimi për lirimin e Gashit vjen pas kallëzimit nga zv.drejtori i Policisë së Qarkut Kukës, i cili është pezulluar nga detyra Shkëlqim Pepkolaj.
Naser Gashi vazhdon të jetë në kartelën e kuqe si një person i kërkuar nga Krimet e Rënda, pas dënimit që ka marrë formë të prerë pesë vite më parë. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar Gashin me 7 vjet e katër muaj burgim për trafik droge në bashkëpunim. Por edhe pse nga kontrolli i shenjave të gishtave dhe këqyrja e sistemit TIMS policia e Kukësit ka qenë fare e qartë sipas provave se kush ishte Gashi, referimi për të është bërë vetëm për një vepër, atë të falsifikimit të dokumentave.
Pas kësaj këto të dhëna janë referuar pranë Prokurorisë së Kukësit, e cila në kohë rekord ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, të të shumë kërkuarit duke mos dhënë asnjë shpjegim. Pavarësisht se në dosje policia pranon që Saimir Bula është Naser Gashi dhe se ky i fundit kërkohej, informacioni nuk është referuar në kryeqytet, por përkundrazi në efektivitet të plotë dhe për t’u pasur zili, zyrtarët e policisë së Kukësit pas urdhërit të prokurorit kanë vendosur menjëherë lirimin.
Siç thotë një burim pranë SHÇBA, sapo 68-vjeçari ka rezultuar në sistemin TIMS i kërkuar, policia e Kukësit duhet ta dërgonte në ambjentet e paraburgimit derisa ai t’i dorëzohej policisë së Tiranës. Ka dyshime se për këtë aferë janë paguar 20 mijë euro që i kërkuari i Krimeve të Rënda të largohej i qetë drejt Kosovës, një udhëtim i cili u ndërpre për pak orë nga autoritetet shqiptare.
Ndërkohë që Prokuroria nuk dha asnjë koment përveç faktit që policia e kishte arrestuar ne shkelje të ligjit këtë shtetas dhe se e kishte referuar për vlerësim me identitetin fals dhe jo me idenditetin që kërkohej.
(B.B/ Faxweb.al)