Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

Profil/ Babai dhe vjehrri i diktuan mjekësinë, njihuni me pediatren Naraçi: Fëmijët e mi i merrja hopa dhe i sillja te kolegët, si më vdiq në duar brenda 4 orësh vajza 5-vjeçare

Nga Anila Mollaj

Nuk më kishte ndodhur që të hasja histori të tilla në jetë. Një vajzë e re dashurohet me një artist por zgjedh të studiojë mjekësi falë influencës së babait dhe specializohet për Pediatri për të plotësuar dëshirën e vjehrrit, e cila iu kthye në një pasion të madh e vazhdon të ushtrojë profesionin si ditën e parë, edhe pse ka 3 vite që ka dalë në pension.

Doktoresha Greta Naraçi, të cilën e takova sot më tregoi të gjithë rrjedhën e jetës, ku më shpjegoi qartë se dashurinë e vërtetë për punën e mëson kur e praktikon.

“Ai (vjehrri, Kel Naraçi) ka patur 11 fëmijë dhe nuk ka bërë asnjërin mjek sepse asnjëri nuk donte. Kur jam fejuar unë me Bertin, kam patur një raport profesional, por edhe afektiv. Kështu që kishte shumë qejf që pasi të mbaroja fakultetin, të merrja specializimin e pediatrisë”, tregon doktoresha 63 vjeçare, e lindur në qytetin e Shkodrës.

Para se ta takoja, mikja e familjes më shpjegoi se ishte një ndër mjeket më të mira në Shkodër, emri i së cilës njihej kudo.  Nuk më la pa përmendur se ishte një zonjë e mbajtur dhe nuk e tregonte aspak moshën që kishte.

Këtë e vërtetova kur shkova për ta takuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku punon si Shefe e Pediatrisë së Përgjithshme. Teksa prisja e ulur të mbaronte vizitat, para syve mu shfaq një grua bjonde plot kaçurrela dhe me një trup tepër elegant, ndryshe nga moshataret e saj.

Mu afrua, më buzëqeshi me mirësjellje dhe më ftoi në zyrën e saj, ku më tregoi si nisi gjithçka. Gjatë bisedës, më shpjegoi se eleganca vjen për shkak të dëshirës për të bërë sport, duke më treguar me detaje se mblidhej me mikeshat për të luajtur basketboll 2 herë në javë.

“Për mjekësinë në përgjithësi ka influencuar dhe im atë. Më shumë im atë se sa dëshira. Më pas, kur futesh në një punë, fillon e dashuron edhe profesionin”, tha Naraçi.

Këtë rrugëtim e mori shumë seriozisht pasi bëhej fjalë për shëndetin dhe bëri një nënspecialitet për infektiv pasi u specializua për Pediatri të Përgjithshme. Vjehrri i saj ishte pediatri më i mirë në Shkodër dhe të gjithë mund të mendojnë se Greta nuk e ka pasur të vështirë, por jo! Ashtu si të tjerët, fillimet i kujton me bebet e porsalindura që nuk dinte as ti mbante në dorë:

“Ishte shumë emocion dhe përgjegjësi, i kujtoj të bërat ujë në djersë për ti vizituar”.

Sot e kësaj dite numëron plot 37 vite që shërben për fëmijët e sëmurë dhe rastet e rënda i përjeton si të ishin familjarët e saj.

Teksa e përshkruan veten si person me natyrë ankthioze, Greta tregon: “Nuk kemi përjetuar pak fatkeqësi të mëdha dhe fëmijët në gjendje të rëndë i jetoj jashtëzakonisht me ankth, panik, emocion, me keqardhje. Ndërsa me fëmijët e mi nuk jam marrë kurrë. Fëmijët e mi i kam marrë hopa dhe i kam sjellë tek kolegët e mi në spital që i kanë vizituar. Kështu bëj sot me mbesat.”

Vitet kalojnë, por mendja e Gretës nuk e harron dot një fëmijë nga Londra që ndërroi jetë brenda 4 orësh dhe arsyeja e vdekjes nuk u zbulua kurrë. Fytyra e saj mori një pamje të trishtuar kur filloi të më tregojë historinë:

“Një vajzë 5 vjeçe, edhe sot e kujtoj fytyrën e bukur të atij fëmije dhe të nënës së saj. Ka qenë diçka që më ka lënë gjurmë për shumë kohë se ishte problem që erdhi si fëmijë rëndë, por iku pa u marrë vesh se cila ishte diagnoza, çfarë ndodhi. Momentet e fundit të atij fëmije nuk i harroj asnjëherë dhe emrin Londër e kam siklet kur e kujtoj sepse e kujtoj tek gjërat e rënda.”

Greta Naraçi, mjekja që u bë nënë e dy vajzave me bashkëshortin muzikant nga Shkodra, ka përjetuar edhe raste tepër emocionuese në karrierën e saj. Nuk përmend ndonjë fëmijë me detaje, por zbulon se si stafi mjekësor arriti të fitonte luftën me një sëmundje tepër të rëndë.

“10 vite pasi kam mbaruar fakultetin kemi pasur raste me meningjite, sëmundje shumë të rënda që sot bota një rast të ketë e bën alarm, edhe OBSh. Ne kemi pasur me 10-15 me meningjite dhe i kujtoj si rastet më të bukura kur ato fëmijë kanë dalë shëndosh. Nuk kujtoj asnjë fëmijë që ka dalë me meningjit që të ketë edhe sot probleme”, tha doktoresha pediatre.

Ashtu si të gjithë prindërit, edhe Greta donte që ta trashëgonte profesionin tek fëmijët e saj. Këtë ia doli vetëm me njërën vajzë, e cila studioi për neurofiziopatologe, profesion që e ushtron në Dubai. Ndërsa vajza tjetër zgjodhi një fushë larg mjekësisë. Nuk mund të them që kjo nuk lidhet me doktoreshën. Duke parë me vëmendje flokët kaçurrela të kuruara me detaje, mësova se vajza e dytë kishte bërë Akademi Estetike në Bolonja dhe punonte parukiere.

Greta Naraçi, një grua e pasionuar pas punës, muzikës dhe familjes rrëfen se nuk e mendon dhe as nuk e ndjen veten si një pensioniste.

Me një bindje në fytyrë, më sheh drejt e në sy dhe më thotë: “Unë këtë pjesë dua as të ma përmendin. Nuk ndihem askund që të dal në pension. Ndihem edhe për të dhënë kontributin. Kam një specialitet që janë 600 fëmijë me epilepsi që kanë nevojë për të mos u sorollatur, për të mos shkuar në Tiranë për një diagnozë, për një recetë për rimbursim për ilaçe dhe e kam patur gjithmonë njëfarë detyrimi për të dhënë kontributin tim edhe në këtë pjesë.”

Por nuk ndikon vetëm kjo. Kanë kaluar 3 vite që ka dalë në pension dhe shprehet se mungesa e mjekëve të rinj e bën që të shkojë çdo mëngjes në punë si ditën e parë.

“Jo se jam e pazëvendësueshme, por për momentin nuk ka”, thotë Naraçi. Sa i përket kushteve në mjekësi, tregon se janë shumë larg nga ato që do të dëshironte. Ndërsa rrëfen se mjekët e kohës së saj kanë trajtuar të sëmurë vetëm me sy, stetoskop e tru, tregon cila është e mira e Shqipërisë në krahasim me botën.

“Ajo që është e mjekësisë sonë dhe duhet të lëvdohet është që si mjek kontakt me pacientin është që nuk ekziston askund tjetër. Mjekët e rinj kanë më tepër kollaj, ne na është dashur të punojmë me stetoskop, sy e me tru. Kjo ka qenë pjesa më e vështirë, pa literature, pa mjete, pa libra”, thotë Greta. 

Më pëlqeu që në momentin e parë që e takova por më vodhi zemrën në përfundim të bisedës, kur folëm për korrupsionin në mjekësi, për të cilin thotë se ekziston por e përjashton nga rastet e fëmijëve.

“Nuk është kushtëzim i shërbimit që ofrohet, shembull, unë pagova dhe ti nuk merr shërbimin. Kjo nuk ekziston, sidomos me fëmijët është tepër sensibël dhe ky korrupsion dhe prindërit që ta japin lekun, ta japin peshqeshin”, u shpreh mjekja.

Ndërsa rrëfen se nuk i pëlqen të bëjë moralisten, Greta thotë se Shqipëria është një vend i varfër që po zhvillohet, por ka vend për ndryshime.

Fjalët Kyce

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *