Presidenti Ilir Meta është i shqetësuar për vatrën e zjarrit që është aktive në zonën e Priskës në Tiranë dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të veprojnë me urgjencë.
Në një shkrim në Facebook ku ka publikuar edhe videon nga vendi i ngjarjes, Meta kritikon Shërbimin Zjarrfikës dhe Ministrinë e Mbrojtjes që prej orësh nuk kanë angazhuar të gjitha mjetet për këtë krim mjedisor.
Statusi i plotë: Me shqetësim po ndjek situatën aktuale të përhapjes së vatrës së zjarrit në zonën e Priskës, në Tiranë. U bëj thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore të mos humbin më kohë në marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar zjarrin që po dëmton seriozisht pasurinë publike.
Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes që prej orësh nuk kanë angazhuar të gjitha mjetet dhe efektivët për minimizimin e pasojave. Për këtë krim të rëndë mjedisor duhet të mbahet përgjegjësi ligjore!