Këtë të diel qytetarët shqiptarë përreth vendit do t’i drejtohen qendrave të votimit duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit, për të zgjedhur qeverinë që do drejtojë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme.
Kur na ndajnë vetëm pak orë nga dita e diel, Fax News ka mësuar vendin dhe orën ku do të votojnë krerët e politikës shqiptare, duke filluar nga Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kreu i opozitës Lulzim Basha, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
I pari që e nis nga emrat e sipër përmendur është Presidenti Ilir Meta, i cili do të votojë që në 7 të mëngjesit, siç njoftoi në Facebook vetë ai.
“Nesër, në ora 07:00, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani”, Tiranë, nga ku do të japë edhe një mesazh tepër të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës.
Presidenti Meta u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të marshojnë të qetë dhe me vendosmëri drejt kutive të votimit për të vulosur ndryshimin e rëndësishëm, të shumëpritur dhe historik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Nesër do të jetë një Festë e Demokracisë”, ka shkruar Tedi Blushi, këshilltari për mediat i kreut të Shtetit.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama do të hedhë votën e tij në zonën e Surrelit, ku është rezident prej disa vitesh, në orën 10:30.
Lulzim Basha do të votojë në orën 09.00 në qendrën e votimit 1929 pranë çerdhes nr.13, Njësia 8, në kryeqytet. Sali Berisha voton gjithashtu nesër në orën 10:00 në Kryeqytet te Shkolla Kosova.
Ndërsa kuvendi ka njoftuar se kryeparlamentari Gramoz Ruçi do të votojë në orën 7:30, në QV pranë Liceut Artistik.
Ditën e nesërme kanë të drejtën e votës 3,588,869 shtetas shqiptarë, 107,024 prej të cilëve janë votues për herë të parë.
(E.H/Faxweb.al)