Komisioni i Venecias ka publikuar opinionet lidhur me dy ligje në Shqipëri, atë të paketës anti-shpifje dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me të parë, Venecia shprehet se ndryshimet ngrenë çështje të rëndësishme dhe nuk janë gati për miratim.
Ndërkohë sa i përket Gjykatës Kushtetuese në opinionin e dytë për emërimin e gjyqtarëve, të kërkuar si nga parlamenti shqiptar ashtu edhe nga Presidenti, Komisioni i Venecias vëren se modeli origjinal kushtetues për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ishte interpretuar saktë nga Kuvendi por nuk mundi që të funksiononte ashtu siç pritej.
Kjo si rezultat i numrit të jashtëzakonshëm të gjyqtarëve që do të zëvendësohen për shkak të procesit të Vettingut dhe mungesës së bashkëpunimit institucional midis Presidentit dhe parlamentit, gjë e cila bëri që Gjykata Kushtetuese të ishte jofunksionale.
Komisioni konkludon se situata e paqartësisë dhe mungesa e një Gjykate Kushtetuese funksionale, emërimi për zgjedhjen e një kandidati në atë Gjykatë nuk duhej të konsiderohej i vlefshëm, pasi Presidenti kishte ngritur një pyetje në lidhje me interpretimin e procedurave. Do të ishte thelbësore që Presidenti dhe parlamenti të binin dakord për një interpretim të tillë përpara se të vazhdonin me emërimet; në vend të kësaj, të dy palët vijuan që të punonin në mënyrë të pavarur.
Shkurt, sipas mendimit të Komisionit, për sa kohë që mungesa e kandidatëve vazhdon dhe listat përbëhen nga kryesisht të njëjtët kandidatë, dhe disa emërime duhet të bëhen në të njëjtën periudhë, Presidenti dhe Kuvendi (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të pajtohen për procedurën që duhet të ndiqet në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe KKK duhet të pranojë një interpretim të tillë. KPK duhet t’i dërgojë listat në Kuvend menjëherë pasi Presidenti të ketë vijuar me emërimet e tij.
Në planin afatgjatë, ekspertët e Këshillit të Evropës rekomandojnë thjeshtimin e modelit kushtetues të miratuar në vitin 2016, veçanërisht duke hequr rregullin e sekuencës (**), duke sugjeruar që kuotat e tre organeve të shpërndahen automatikisht dhe të rinovonin një mandat për të njëjtin autoritet që kishte caktuar gjyqtarin.
Së dyti, vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare duhet të hiqen. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të gëzojnë gjithnjë një mandat të plotë nëntë vjeçar, edhe nëse zgjidhen me ndonjë vonesë ose nëse kanë marrë një mandat që është “përdorur” më parë nga një koleg i tyre. Sapo të hiqet rregulli i sekuencës, ky ndryshim jo vetëm që e bën pozicionin e gjykatësit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë.
Komisioni i Venecias nënvizon nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. Mandatet dhe fuqitë e tyre duhet të respektohen, në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre institucionale, gjithmonë duke kërkuar që qytetarët e Shqipërisë të marrin më të mirën. Më në fund, Komisioni rekomandon që të bëhen përpjekje shtesë që procesi i verifikimit të përfundojë me shpejtësi