Kryeministri Edi Rama po inspekton në këto momente nisjen e punimeve për ndërtimin e spitalit Rajonal të Fierit. Teksa kompania turke ka lokalizuar mjetet për fillimin e projektit në truallin e caktuar në Fier, Rama duket se po shkon për të parë vetë se a do të fitohet basti i vendosur në Ankara me Presidentin Erdogan, për ndërtimin e spitalit në vetëm tre muaj.
Vizita e para disa ditëve e Ramës në truallin ku do të ndërtohet spitali u prit me protesta nga ana e pronarëve të tokës, por ditën e sotme ajo që bie në sy është mungesa e tyre të cilët me sa duket do të kenë rënë në komromis me qeverinë shqiptare për çmimin e pronës.
Kujtojmë se vetëm javën e shkuar kryeministri, Edi Rama, sëbashku me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social, Ogerta Manastirliu, kryetarin e delegacionit të Ministrisë turke të Shëndetësisë, Arif Çetin, përfaqësuesin e kompanisë YDA Group që do të realizojë punimet, Hüseyin Arslan dhe zyrtarë të tjerë, vizituan vendin ku është planifikuar të ndërtohet spitali rajonal i Fierit.
Duke publikuar videon nga vizita në rrjetet sociale, kryeministra Rama pohoi se “sfida është shumë e madhe”.
“Me kompaninë turke që do të ndërtojë spitalin e ri rajonal brenda 3 muajsh, e cila do të angazhojë 1.200 punëtorë me 3 turne në 7 ditë të javës”, shkroi Rama.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kompanisë, Rama tha se, “Ju jeni ndër ata që ka reputacionin e madh për zhvillimin e projekteve shumë sfiduese. Tani ne jemi këtu në dispozicionin tuaj, çdo gjë do të jetë si e kërkoni ju. Me mbështetje të plotë. Plani që keni ju parashikon që shumë njerëz të punojnë këtu, prandaj mirësevini dhe ambasadori nga ana juaj dhe ne nga ana jonë do të japim mbështetje të plotë.”
Ndërsa përfaqësuesi i YDA Group, Hüseyin Arslan, në lidhje me projektin u shpreh se do të bëjnë më të mirën.
“Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë. Duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë”, theksoi Arslan.(F.M/Faxweb.al)