Mësohet se 7 persona janë shoqëruar në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Mamurrasin ditën e sotme, ku mbetën të plagosur dy efektivë policie. Bëhet me dije se dy prej të shoqëruarve janë autorë të ngjarjes së rëndë.
Gjithashtu i plagosur ka mbetur dhe një prej agresorëve i identifikuar si Nikoll Vorfi, ndërkohë që personat e tjerë të shoqëruar nuk janë identifikuar ende.
Policia ka qenë tepër e rezervuar në lidhje me ngjarjen dhe nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar pasi dyshohet se personat që kanë ngritur armën drejt Policisë së Shtetit, janë persona afër qeverisë.
Konflikti nisi pasi 3 efektivë të patrullës i kërkuan agresorit Nikoll Vorfi, të largojë automjetin e parkuar kundravajtje, ndërkohë që ai nuk pranoi dhe nisi të debatonte me ta duke i ofenduar.
Efektivët pasi kanë hasur në kundërshtinë e Vorfit, kanë kërkuar kontrollin e automjetit, gjë e cila nuk ndodhi pasi agresorëve iu bashkuan dhe shokët e tij që ndodheshin në një kafe aty pranë.
Konflikti agravoi deri në përdorimin e armës dhe për pasojë njëri prej policëve u plagos me plumb në këmbë, ndërsa tjetri me sende të forta.
Efektivët e patrullës së policisë të lënduar në krye të detyrës janë Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, po ashtu i plagosur ka mbetur dhe vetë agresori Nikoll Vorfi.
Në vendngjarje kanë shkuar tashmë nga Tirana Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.(F.M/Faxweb.al)