Dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSi kanë folur për atë që kanë rënë dakort në diskutimet e sotme mes palëvë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe afatet e parashikuara të përfundojnë të gjitha diskutimet në këtë proces.
Bylykbashi tha se janë arritur dakordësi mes palëve në tre pika përfshirë financimet politike dhe kuotat gjinore, ndërsa pohoi se çështjet më të rëndësishme nuk janë këto, duke vijuar më tej me sqarimin se cila është sfida e radhës deri në përmbyllje të reformës.
“Sot patëm mbledhjen e radhës të Këshillit Politik pas asaj ndërpreje brutale të veprimit të kryeministrit Rama për të nxjerrë nga binarët këtë reformë të rëndësishëm. U arrit dakodësia që periudha zgjedhore do të jetë 15 prill 15 maj dhe 15 tetor 15 nëntor periudha e dytë. Kemi llogaritur periudhat sezonale kur qytetarët largohen nga vendi. Diskutuam dhe arritëm në dakordësi në shumë elemente sa i përket financimit të partive politike përmes një formule miks ku synimi i opozitës ka qenë reduktimi drastik i financimit privat që të pastrohet politika dhe fushata nga aktivitete të paligjshme. Pati debat për çështje të ndryshme por jemi në mbyllje të këtyre 2 paketave.
Problemet kryesore në procesin zgjedhor nuk janë këto. Ajo që duhet të garantojmë është mbrojtja e zgjedhësve shqiptarë, që të votojë i lirë dhe të numërohet korrekt si dhe të mbahet e fshehtë vote e tyre. Ajo që do diskutojmë në vijim janë masat që rregullojnë rolin e organeve ligjzbatuese që dënon ata që cënojnë zgjedhësit dhe liritë. Masat që kutia e votimit nuk mbushet, që janë vota të zgjedhësve të vërtetë jo familjar, vota emigrantësh që nuk votojnë. Të gjitha çështjet e tjera janë rreth këtij boshti për të garantuar standartin, kjo është sfida e madhe e ditëve në vijim dhe uroj të arrijmë konsensus për të arritur standartin. Besoj se deri më 31 mars të arrijmë në përfundim”, tha Bylykbashi.
Vasili foli për çështjen e kuotave gjinore ku theksoi se ka besim se me implementimin e ndryshimeve që pritet të ndodhin, roli i gruas në politikë dhe vendimmarrje forcohet.
“Një nga 3 dokumentet që u përmbuyllën ishin kuotat gjinore, ramë në kompromis që kuota gjinore të respektohet në 1 më 3. Kemi kërkuar me forcë që kjo kuotë gjinore të ketë dispozita mbrojtëse për zbatimin e saj në praktikë ku kemi parë në të shkuarën që është kapërcyer me gratë fituese në parlament. Përtej demagogjisë dhe hipokrizisë së radhës se kjo punë u bë. Është një çështje që ekspertët besoj do të gjejnë një model të shpejtë dhe të pranushëm dhe të hidhet një hap i rëndësishëm për mundësinë e një gare të hapur dhe që gratë shqiptare të bëhen pjesë e politikës dhe vendimmarjes saj”, tha Vasili.
(F.GJ/FAXWEB.AL)