Mbrëmjen e sotme, në fokus të diskutimit në emisionin ‘Pushteti’ në FaxNews ishte pesha e aleatëve të Opozitës së Bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesë e panelit ishin të ftuar dhe dy eksponentë të rëndësishëm të opozitës, respektivisht kryetari i LZHK Dashamir Shehi dhe kreu i Demokristianëve Nard Ndoka.
Në fjalën e tij Ndoka theksoi se ende nuk ka një marrëveshje zyrtare mes forcës që ai përfaqëson dhe Partisë Demokratike, por bëri me dije që palët kanë rënë dakord në parim.
Ndoka u shpreh se opozita duhet tashmë t’i kishte përfunduar marrëveshjet e brendshme dhe të fillonte sa më shpejt fushata dhe bërja publike e programit që ofron opozita që më pas sipas tij do të sigurojë fitoren në zgjedhje.
“Së pari ta saktësoj, nuk ka një marrëveshje zyrtare, ne kemi rënë dakort në parim. Partia Demokratike nuk ka akoma asnjë marrëveshje me partitë aleate të Opozitës së Bashkuar. Jemi në negociata edhe për detaje teknike, janë disa gjëra ku po shikohet hapësira se ku partitë politike po shikojnë të paraqesin kandinatura edhe në qarqe të tjera të vendit.
Grupi negociator ka bërë një hap para me ne duke rënë dakord në parim. Të them të drejtën është një periudhë disi e gjatë, do të ishte mirë që kjo të ishte përfunduar, pasi interesi publik nuk e kupton si janë skemat dhe mënyrat tona, është shumë e rëndësishme që në të fillojmë fushatën dhe t’i paraqesim njerëzve programin tonë.
Ne kemi një pengesë goxha serioze përpara që është ndryshimi i Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme nga Rama për të na krijuar pengesa artificiale në përfaqësim dhe kjo na ka godit ne si parti të treta politike, pasi nuk mund t’i sigurojmë 140 deputetë në të gjithë territorin e vendit”, tha Ndoka.
Nga ana tjetër kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i komentoi ironitë e kryeministrit Rama se PD po sjell frymë të re duke kandiduar të vjetrit, si një përpjekje për të përçarë opozitën. Kjo sipas Shehit vjen pasi partitë e vogla kanë rreth 100 mijë vota që Rama do donte t’i kishte me vete.
“Ky e ka zhvilluar sensin e humorit dhe gati gati s’jemi të zotë të bëjmë garë me këtë person. Ky ka kohë që bën nga këto, por këto janë karagjozllëqet e fundit të tij. Mundohet përditë të bëjë diversion midis opozitarëve, por meqë merret me ne unë po i them se vetëm me kokra gjuhet thotë populli dhe jo me ferra.
Ne jemi një grup njerëzish që me partitë e vogla mbledhim gati 100 mijë vota dhe kjo i djeg, do t’i kishte pëlqyer që ndoshta t’i kishte me vete. Ky përçarjen e opozitës ka bërë gjithë këto vite, dhe e ka pasur një farë suksesi. Me atë parlament që kemi sot është edhe vepër e këtij, nëpërmjet joshjes dhe kompromentimit të atyre që ishin në fundin e listës së opozitës”, tha Shehi.(F.M/Faxweb.al)