Procesi i votimit për konfirmimin e kandidatëve në Degën Kukës ka përfunduar dhe anëtarët konfirmuan që në fazën tjetër të kalojnë: Admir Sinamati, Arben Cejku, Ibrahim Bruka, Sahit Prizreni, Vjollca Vata.
Ky ishte qarku i parë ku PD realizoi votime për të zgjedhur kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Në votim morën pjesë 949 (69,5 %) anëtarë nga 1365 që kishin të drejtë.
Kandidatët që do të kalojnë në fazën tjetër në Tropojë janë: Isuf Cela, Xhem Nezaj, Mimoza Hajdarmataj, Lush Susaj dhe Feride Rrahmani.
Ndërsa në Has, në fazën tjetër kaluan: Avenir Peka; Demush Kastrati; Elez Maci dhe Ismet Jaku.
Për votimin ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i cili shkruan në një postim në rrjetet sociale se pjesëmarrja e votuese “tregoi entuziazëm ndërsa ndryshimi po vjen”.
“Entuziasmi dhe pjesëmarrja masive, tregon se demokratët janë gati për ndryshimin që po vjen, janë gati ta shpëtojnë vendin nga kriza e thellë ku ndodhet prej qeverisjes së korruptuar dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës. Diferenca mes nesh po bëhet çdo ditë e më e qartë.
Teksa rilindja dhe Edi Rama vendosën në fund me hile të propozojnë mbylljen e listave, pra ku elitat e saj të ndjenjura e të zhytura në përfitime e të kapura nga krimi, të mbijetojnë sërish, demokratët e hapën procesin duke përfshirë gjithë anëtarësinë që në nisje të përzgjedhjes së kandidatëve.
Ne kemi një plan për qytetarët, për t’ua dhënë pushtetin atyre. Kjo duke nisur brenda familjes sonë. PD do të përfaqësohet me më të mirët, me kredenciale të larta e që kanë besimin e publikut.
Politikë dhe qeverisje pa lidhje me krimin, me personaliete me integritet. FITORE”, shkruan Gazment Bardhi.(A.M/Faxweb.al)