Tritan Shehu dhe Ferdinand Xhaferaj kanë dalë hapur pro qëndrimit të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, pavarësisht humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.
Tritan Shehu shkruan në një status në Facebook se së bashku do ta shembin këtë regjim, duke shpërndarë gjithashtu deklaratën e PD-së Gjirokastër.
“Si deputet e drejtues politik i Qarkut te Gjirokastres shpreh solidaritetin tim me deklaraten e Kryetareve te degeve te PD aty. Se bashku do ta shembim kete rregjim”, shkruan Tritan Shehu.
Ndërkohë, Xhaferaj shkruan se strukturat e PD kanë nisur procesin për dokumentimin e vjedhjeve të Rilindjes, duke theksuar se në 25 prill vendit ju hoq mundësia të përfaqësohej në kuvend nga një qeveri e ndershme dhe europiane me zotin Basha në krye.
“Ditët pas 25 Prillit kanë qënë një zhgenjim i madh për cdo demokrat apo qytetar të ndershëm të qytetit tonë e më gjërë, të cilëve iu vodh mundësia e përfaqesimit nga një qeveri e ndershme dhe europiane si alternativa e z. Lulzim Basha.
Sot, ndihem vecanërisht falenderues për strukturat e Partisë Demokratike, punën e palodhur dhe idealizmin e tyre, i cili është esenca e partisë tonë. Ndihem gjithashtu falenderues për cdo person i cili votoi për ndryshimin duke refuzuar të deformojë vullnetin e tij apo shiste votën për interesa të ngushta dhe afatshkurtra personale.
Partia Demokratike dhe lidershipi i saj patën një rritje substanciale, sidomos gjatë dy viteve të fundit, e cila kulmoi me fushatën dhe zgjedhjet e 25 Prillit. Votat e marra ndershmërisht nga PD në këto zgjedhje pasqyrojnë një rritje të dukshme të saj në të gjitha qarqet e vendit.
Aktualisht, jemi në proces dokumentimi të vjedhjeve të Rilindjes. Ky mision i rëndësishëm do garantojë se Rilindja nuk do të ketë mundësi të mbulojë gjurmët e krimit të kryer, për të cilin Partia Demokratike i ka të gjitha provat dhe do t’ia paraqesë shumë shpejt shqiptarëve”, shkruan Xhaferraj.
Rikujtojmë se pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, pakënaqësia kaploi disa demokratë. I pari që doli hapur kundër Lulzim Bashës ishte Fatbardh Kadilli, i cili shpalli dhe kandidaturën për kreun e PD-së. Më pas një tjetër goditje e rëndë për Bashën ishte dhe deklarata e Bujar Nishanit, kreu i këshillit kombëtar të Partisë Demokratike, i cili u shpreh se Basha duhej të jepte dorëheqjen si fajtori për humbjen e zgjedhjeve.
(E.H/Faxweb.al)