Eurodeputeti David Lega përmes një postimi në Twitter ka mbështetur idenë e paraqitur ditën e sotme nga Oliver Varhelyi, i cili këshilloi qeverinë shqiptare të presë rekomandimet e Komisionit të Venecias përpara se të kalojë në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor të rikthyera nga presidenti Meta.
“Pajtohem me Komisionerin Oliver Varhelyi, Parlamenti dhe Kryeministri Rama duhet të presin për mendimin Komisionit të Venecias, kjo do të ishte qasja demokratike”.- shkroi Lega në Twitter.
Kujtojmë se eurokomisioneri për zgjerimin Oliver Varlehyi reagoi ditën e sotme pas vendimit të presidentit Meta për ta çuar Kodin Zgjedhor në Venecia.
Ai i rekomandoi Kuvendit që të presë opinionin që do të jepet nga Venecia, dhe më pas të vendosë për rivotimin e ndryshimeve në kod.
Reagimi i plotë: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut.
Parlamenti duhet të marrë në konsideratë që të presë këshillat e Venecias, dhe më pas të vendosë për rivotimin. Është koha që të shikoni drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në prill 2021.
Presidenti Meta ka vendosur që ti kërkojë opinion urgjent Komisionit të Venecias për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e mazhorancës.
Në një deklaratë për mediat, Meta ka renditur pyetjet që i ka shtruar Komisit të Venecias, ku sipas tij qëllimi është shmangia e një krize të mundshme zgjedhore.
Meta: I kam kërkuar opinion urgjent Komisionit të Venecias, për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e mazhoranës.
Presidenti e ktheu ligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të shmangur një krizë të mundshme politike. Unë kam demostruar përgjegjësinë e presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.
Unë shpresoj që të ketë një reflektim, dhe presidenti në çdo rast ka shumë zgjidhje, që do të kërkojnë mbështetjen dhe bashkimin e popullit shqiptar, që do të synojnë të ardhmen europiane të vendit.
Për të ndihmuar dhe garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, me standarde të OSBE, të një vendi anëtar të këshillit të europës, që ka disa kushte për negociata dhe që është fqinj me Maqedoninë e Veriut që ka treguar se si mund të organizohen zgjedhje model.
Si do sillet maxhoranca kjo mbetet për t’u parë. Nuk kam asnjë arsye përse të mos shpresoj në një reflektim të tyre. Më vjen keq që nuk kanë lexuar 80 faqet e argumenteve, po kanë reaguar menjëherë. Secili mban përgjegjësi për aktet dhe vendimet e tij. Aktet e presidentit kanë qenë e do jenë transpararente dhe në interes të popullit shqiptar.
Gjatë ditës së sotme kreu i qeverisë Edi Rama, kur u pyet nga gazetarët, nëse do të reflektonte lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, u shpreh se i fundit që mund ti kërkonte llogari presidentit ishte Ilir Meta.