Anëtari i Këshillit Kombëtar, Lisandër Hoxha ka dhënë një intervistë për Fax News ku ka folur mbi gjendjen aktuale ku ndodhet vendi, nën rritjen e çmimeve dhe vështirësitë financiare.
Hoxha tha se protestat kombëtare duhet të priheshin nga opozita dhe jo nga shoqata të paguara. Ndërsa shtoi se duhej ndërtuar një strategji nga ana e opozitës dhe nëpërmjet qëndresës politike t’i bëhej e qartë qeverisë se cila ishte vija e kuqe për të mos u kaluar.
“Vetëm opozita ka përgjegjësi politike para shqiptarëve dhe vetëm ajo ka staturën të ngrejë kauza kombëtare të kësaj natyre. Opozita duhet të prijë kauzat kombëtare dhe jo shoqatat. Shpeshherë shoqatat e paguara shkojnë aty dhe nuk është se arrijnë diçka. Duhet që opozita të bindë njerëzit duke filluar me 44 mijë anëtarët e saj që të fillojë qëndresa. Nuk është çështja të dalim të rrim dy orë dhe të themi ne fituam se këtë e provuam 8 vite me Lulzim Bashën. Ne duhet t’i imponohemi qeverisë dhe aksionet politike janë mjeti. Ne duhet t’u imponohemi për krizën financiare që ka prekur çdo familje shqiptare. Ne duhet të shkojmë me një plan konkret dhe t’i themi qeverisë që kjo është vija e kuqe dhe se nëse nuk tërhiqesh do shkosh drejt bllokimit total. Këtë duhet ta bëjë opozita. Së dyti është reforma territoriale. Është masakruar ky vend, duke krijuar 8 bashki dhe 4 njësi administrative në Tiranë”– u shpreh Hoxha.