Operacioni fijet i Policisë së Shtetit ka tërhequr vëmëndjen e opinionit publik në vendin tonë. Fillimisht nisi në qytetin e Shkodrës, ku kriminelë monitoronin rrugët me kamera sigurie, për të operuar lehtë në aktivitetet e tyre të jashtëligjshme. Menjëherë pas kësaj ngjarje operacioni u shtri në qytete të tjera duke përfshirë pothuajse të gjithë Shqipërinë.
Policia e Shtetit deklaroi se kjo nuk nisi spontanisht por pas një analize të detajuar rrjedhur nga situata e krimit në vend.
Zëdhëndësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai ka qenë në një lidhje të drejtëpërdrejtë në emisionin “Pushteti” me moderatoren Juela Meçani, ku po trajtohet si temë operacioni “Fijet” me të ftuar në studio.
Juela Meçani: Ka ende enigma me këtë fakt, si lindi ideja e e operacionit “Fijet”?
Gentian Mullai: Dua të them se operacioni nuk është nisur dhe nuk ka pasur indicie anësore apo spontane, por ka ardhur pas një analize të thelluar nga situata kriminale në vend.
Policia ka prioritetet e veta për të realizuar objektivat e veta dhe solli një rizgjim duke e parë dhe nga publiku pasi janë organizuar dhjetëra operacione në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese në vend.
Kjo ka ardhur pasi policia do të rrisë fuqinë goditëse ndaj krimit.
Në këtë kontekst u mendua që strategjia e re në luftën ndaj krimit të nisë nga kjo fazë e parë e operacionit që nisi më 15 janar të këtij viti.
Ju them me bindje se operacioni nuk ka marrë spunto nga asnjë ngjarje kriminale por ka ardhur nga një analizë e organeve të policisë.
Ky është një komponent i strategjisë së re të luftës ndaj krimit. Ka faza të tjera në ditët, javët muajt në vijim.
Deri në këto momente në shumë qarqe të vendit, janë hequr 349 kamera sigurie dhe 67 persona të proceduar penalisht.
Policia e ka diskutuar në vitin 2016 ligjin për kamerat e sigurisë. Kamerat janë vendosur nga persona të zakonshëm dhe persona me rekorde kriminale. Duhet marrë leje për vendosjen e këtyre kamerave pasi janë vendosur pa dijeni dhe pa leje duke cënuar privatësinë e qyetetarëve.
Shemsi Prençi, prezent në studion e Fax News, i ka drejtuar një pyetje zotit Mullai ku e pyet në lidhje me kohën se kur është miratuar strategjia për të cilën ai përmendi disa herë.
Shemsi Prençi: Ju artikuluat disa here strategjinë e re të luftës ndaj krimit, kur është miratuar kjo strategji?
Mullai: Kjo strategji është e policisë, nuk mund ti bëjmë publike.
Prençi: Mos u ngatërro.Strategjitë i miraton Qeveria. Kur u miratua kjo që pret fijet?
Mullai: Në dhjetor, ka ndryshuar qasje dhe standarte të reja.
Gazetari i Fax News Elvis Myrta, i ftuar në panelin e emisionit “Pushteti” i ka drejtuar gjithashtu një pyetje z.Mullai ku ka kërkuar të informohet në lidhje me regjistrat që ka policia në lidhje me pronarët e kamerave që i kanë vendosur me leje në ambientet përkatëse.
Elvis Myrta: Nga regjistri juaj, sa kamera janë regjistruar ligjërisht dhe sa kamera janë vendosur në mënyrë abuzive?
Mullai: Sigurisht policia ka një regjistër. Për momentin nuk e kam numrin, në mëngjes e vë në dispozicion. Regjistrat janë regjistruar dhe ne kemi hequr kamerat pa të zotë. Gjithashtu kemi hequr kamerat që janë vendosur në banesa por kapin sipërfaqe rruge duke cënuar privatësinë e qytetarëve.