Operacioni Forca e Ligjit iu ka kërkuar deklarimin e pasurisë Talo Çelës dhe Flamur Hakës, të cilët janë të dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe për trafik droge.
Çela përveçse i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, është shpallur në kërkim dhe për grabitjen e fundit të miliona eurove në aeroportin e Rinasit.
Nga ana tjetër Flamur Haka njihet ndryshe dhe si miku i Durim Bamit, ndërkohë që akuzohet për një sërë vjedhjesh me dhunë të ndodhura në zonën e Fushë Krujës dhe jo vetëm.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
F. H., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”;
T. Ç., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.