Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi mbrëmjen e sotme për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.
Të paktën 217 anëtarë kanë votuar për të shkarkuar Trump, mes të cilëve janë edhe nëntë republikanë. Rezoluta e fajësimit akuzon Trump me një artikull të vetëm, “nxitje të protestës”, për rolin e tij në trazirat vdekjeprurëse në Capitol gjatë javës së kaluar.
Kjo është hera e parë në historinë amerikane që ndaj një presidenti ngrihen dy herë akuza për shkarkim gjatë mandatit të tij. Pak para votimit, Donald Trump reagoi përmes zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë duke i kërkuar amerikanëve që të shmangin dhunën:
“Në mes të raporteve për më shumë demonstrata, unë nxis që të mos ketë dhunë, asnjë shkelje të ligjit dhe asnjë vandalizëm të çfarëdo lloji. Kjo nuk është ajo për të cilën unë qëndroj dhe nuk është ajo që Amerika përfaqëson. Unë i bëj thirrje të gjithë Amerikanëve të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe qetësimin e gjendjes. Faleminderit.”
Edhe pse mandati katërvjeçar i zotit Trump përfundon në mesditën e 20 janarit, në rezolutën prej katër faqesh me akuzat për shkarkimin e tij, thuhet se ai ka “demonstruar se do të vazhdojë të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën, nëse lejohet të qëndrojë në detyrë dhe ka vepruar në një mënyrë tepër të papajtueshme me vetëqeverisjen dhe shtetin e së drejtës. ”
Akuza me katër faqe përmend pretendimet e pabazuara të zotit Trump se ai u privua nga një mandat të dytë katër vjeçar për shkak të parregullsive të votimit dhe të numërimit të votave, presionin e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’i “gjetur” atij më shumë se 11,000 vota për të kapërcyer epërsinë ndaj Joe Biden në këtë shtet dhe deklaratat e tij në një tubim të mërkurën e kaluar, ku u bëri thirrje mijëra mbështetësve të marshonin drejt Kapitolit për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
(A.M/Faxweb.al)