Gazetarja Silvana Gjeçaj ka folur përmes telefonit nga Italia për Televizionin Fax News ku ka treguar detaje rreth situatës së kruijuar atje për shkak të koronavirusit.
Sipas saj, rrugët janë boshatisur kryesisht në veri të vendit ku edhe është epiqendra e epidemisë, ndërsa theksoi se përveç humbjeve njerëzore, Italisë do ti duhet të përballet edhe me humbje të mëdha ekonomike.
Gjeçaj theksoi se shumë shqiptarë janë kthyer në atdhe ndërsa nuk ka raportime për infektimin e ndonjërit prej tyre nga virusi.
“Të gjitha rrugët janë të boshatisur, situata në Itali është përkeqësuar, kjo mund të sjellë veç humbjes së jetëve të njerëzve edhe pasoja shumë të rënda ekonomike. Të gjithë po përdorin makina personale ose taksi, por sa më pak mjete publike. Masat vijojnë të jenë të njëjta, testet bëhen më shumë se tre herë për të provuar nëse janë apo jo të infektuar me koronavirus. Autoritetet kanë deklaruar se duhet shmangur panikun por nga ana tjetër duhen marrë masa, duke mbajtur mes të tjerave edhe kontakt të largët me njëri-tjetrin. Kufijtë nuk janë të mbyllur, jo më larg se sot janë kthyer shumë shqiptarë në vendin e tyre. Sigurisht që çmimet janë rritur, ka abuzime me mjetet mbrojtëse të cilat gjenden me vështirësi, edhe në këtë rast duhet të kesh njohje pasi nuk është e lehtë për ti siguruar”, tha gazetarja.
(F.GJ/FAXWEB.AL)