Në një intervistë të dhënë për emisionin “Kjo Javë”, Ish-presidenti Bamir Topi, ka thënë se në parlamentin shqiptar çdo nismë e dërguar në parlament has në pengesa të mëdha nga partitë politike.
Ndërsa sa i përket zgjidhjes së situatës aktuale në vend, Topi tha se nuk shikonte zgjidhje ngaasnjë prej partive politike aktuale.
“Zgjidhja është sipas meje, e tillë që nuk vjen dot më nga partitë politike shqiptare, nëse duhet ta kërkoj diku, nuk kam ku e kërkoj, dhe flas në pozitat e një qytetari normal. Që dua të shoh që vendi të ketë zgjedhje normale, që të garantojë rrotacionin e elitave. Çdo nisëm që shkon sot në Parlament, gjen një mur të lartë tek partia e kryeministrit. Sepse ai është në komoditet, nuk është tolerant për të toleruar një lojë tjetër që do të forcojë demokracinë, me ndryshimet e 2008 i ka garantuar vetes jetë të gjatë”, tha Topi.
Sa i përket zgjidhjes së siuatës në PD, Topi tha se brenda partisë kishte tendencë të lartë për privatizimin e siglës. Ai zbuloi se kjo e kishte shtyrë t’u propozonte ndryshimin e siglës.
“Kur pata dhënë një propozim për zgjidhje, pata parë një tendencë të qartë që përfaqësuesit e lartë të PD tentonin të privatizonin Siglën, emrin e të merrni çelsat, deri këtu degjeneroi. Askush nuk mund ta rrëzojë historinë e PD, kush mendon t’i minimizojë bën gabimin më të madh. Pata propozuar që shkoni në një sigël tjetër, arshivoni këtë sigël. Të jeni të sigurtë që njerëzit do vinë të afrohen”– u shpreh Topi ndër të tjera.