Një reper rus vrau veten për të shmangur rekrutimin për të luftuar në Ukrainë, pas mobilizimi të pjesshëm ushtarak, që e njoftoi vetë presidenti Vladimir Putin.
Mijëra burra, gra e fëmijë kanë ikur nga Rusia drejt vende fqinje për t’iu shmangur planit shtetëror rus. Ivan Vitalievich Petunin, i njohur me nofkën “Walkie”, besohet se ka kryer vetëvrasje në qytetin jugor rus të Krasnodarit.
Trupi i tij u gjet pranë një ndërtese shumëkatëshe në rrugën Congressnaya pasi reperi 27-vjeçar regjistroi një video-mesazh të publikuar në kanalin e tij Telegram në të cilin thoshte se nuk donte të vriste për asnjë ideal.
Petunin, i cili më parë kishte shërbyer në ushtrinë ruse dhe ishte trajtuar në një spital mendor iu drejtua fansave me këto fjalë: “Nëse po e shikoni këtë video, atëherë unë nuk jam më gjallë. Nuk mund ta marr mëkatin e vrasjes në shpirt dhe nuk dua. Nuk jam gati të vras për asnjë ideal”.
Ai theksoi se nuk ishte gati të merrte armët për të vrarë ukrainasit, të cilët pa mëdyshje i konsideronte si “llojin e tij”.
“Unë zgjedh të mbetem në histori përgjithmonë, si një njeri që nuk e mbështeti atë që po ndodhte. Unë nuk jam gati të marr armët dhe të vras llojin tim“, tha reperi.
Ai dukej se kishte frikë se mobilizimi i pjesshëm i Putinit mund të shndërrohej së shpejti në një draft të plotë ushtarak, mes pretendimeve se Moska po planifikon të thërrasë 1 milion burra për të shpëtuar pushtimin e dështuar.
Më shumë se 194 mijë qytetarë rusë kanë ikur në Gjeorgji, Kazakistan dhe Finlandë, që kur Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve për të forcuar trupat e tij në Ukrainë. Po ashtu janë shënuar raste të tjera ekstreme, ku rusët kanë dëmtuar gjymtyrët në përpjekje për t’i shpëtuar rekrutimit për të luftuar në Ukrainë.