Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se harta e re gjyqësore është një strategji e kryeministrit Rama për të larguar qytetarët shqiptarë nga vendi.
Berisha theksoi se po tentohet një spastrim etnik ndaj shqiptarëve, duke i stresuar çdo ditë dhe me dhënien e shërbimeve. Sipas tij një qytetar në Konispol apo Vermosh nuk mund të vijë në Tiranë për një çështje gjyqësore.
“Për të mbyllur të gjithë këtë katastrofë kërkojnë të ndërtojnë një hartë gjyqësore. I sanksionuar në ligjin për drejtësinë. Qëllimi është që të përqendrojnë vendimin. Çfarë ndodh sot në drejtësinë e shqiptare, drejtësia shqiptare ka sot një satrap dhe ky satrap quhet sokol Sadushi. Asnjë çështje në gjykatën e Lartë nuk del pa e vendosur Sadushi datën.
Të gjithë çështjet e energjisë, naftës, trajtohen nga Sadushi i Partisë. Ky është gjykimi më jo transparent. Të gjitha çështjet ku qeveria është e paditur, i fiton vetë qeveria ku ka gjykatësin e saj, Sokol Sadushin. Tani Edi Rama pasi ka përqendruar të gjithë Gjykatën e Lartë, në duart e Sadushi tani do që gjykatën e Apelit ta përqendrojë në duart e gruas së Sadushit. Gjykata e Apelit është e gjitha nën kontrollin e çiftit Sadushi. Një eksperiment i turpshëm, e bëri një herë PS-ja në 1999, ndërsa e zhbënë më pas sepse ajo ishte një goditje e rëndë ndaj sistemit të drejtësisë. Në rrafshin politik ka një synim tjetër, është pjesë platformës së spastrimit etnik të këtij vendi.
Avokati është gjithnjë më i lidhuri me problematikat e qytetarëve. Në doktrinat e spastrimit etnik është mërzitja e vazhdueshme sepse një familje në Vermosh apo Konispol derisa të zgjidhë çështjen në Tiranë, shkon jashtë Shqipërisë në Mali të Zi apo diku tjetër. Është komplet qëllim i spastrimit të shqiptarëve”-tha Berisha.