Gjatë javës që lamë pas Thesari ka kryer transaksionin e parë për shoqërinë Koncesionare Albanian Highway Concession në shumën e 242 976 780 milion lekëve (ose 1.97 milion euro).
Koncesionari zotërohet nga Kastrati dhe Salillari dy nga pesë subjektet e bashkimit të operatorëve që u shpallën fitues të kontratës koncesionare për Ndërtim, Përmirësim, Operim duke përfshirë vjeljen e taksave të rrugës dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morinë.
Bashkimi i operatorëve apo Konsorciumi i Catalyst Viva Das General Constructing LLC, Salillari shpk, Bee Thech, Vialop Ateve dhe Kastrati sha u njoftua si fituese e Prokurimit të Shpallur nga qeveria Shqiptare në 29 gusht 2016. Në garë mori pjesë edhe një konsorcium tjetër me vlerë më të lartë për koncesion e cila u skualifikua.
Kontrata Koncesionare u nënshkrua më 6 dhjetor 2016.
Shoqëria Koncesnionare Albanian Highway Concession u themelua më 27 dhjetor 2017.
Në 22 mars 2017 me kontratë shitje kuotash u larguan ortakët Bee Tech dhe Violap Ateve secili zotërues i 10% të kuotave të kapitalit.
Tre muaj pas nënshkrimit të kontratës zotërues të koncesionarit mbeten 100% biznese vendase 50 me 50-të Salillari dhe Kastrati.
Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksat dhe në këmbim ka përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimit e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës, të zbatojë punimet me urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Afati i koncesionit është 30 vjeçar. Për çdo automjet që kalon në autostradën e njohur si Rruga e Kombit drejtuesi i mjetit dhe buxheti i shtetit do ti paguajnë koncesionarit një tarifë për përdorimin e rrugës. (Faxweb.al)