Policia rrugore ka shoqëruar në komisariatin e policisë një 28-vjeçar, i cili ka tentuar të korruptojë efektivët e patrullës në aksin Milot-Morinë. Ndalimi i shtetasit kosovar nga ana e policisë erdhi pasi kjo e fundit konstatoi se 28-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe parakalime të gabuara.
Por telashet për të riun do të shtoheshin akoma më shumë kur ai tentoi të korruptonte efektivët me një kartmonedhë prej 20 euro. Kartmonedha ishte e futur midis pasaportës së 28-vjeçarit, por kjo nuk e mbylli problemin e tij me ligjin, përkundrazi çoi në arrestimin e tij.
Njoftimi i plotë i policisë: Milot – Morinë: Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën parandalon dhe godet një rast të mitëdhënies.
Vihet në pranga një 28-vjeçar nga Kosova, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore.
Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë patrullimit në autostradën Milot-Morinë, ka konstatuar dhe ndëshkuar 38 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve është evidentuar dhe ndëshkuar edhe një rast i tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur masës administrative dhe konkretisht në Fushë Milot, punonjësit e Policisë Rrugore kanë konstatuar një parakalim të gabuar nga një drejtues automjeti duke rrezikuar përfshirjen në aksident rrugor.
Gjatë momentit që punonjësit e Policisë po i kontrollonin dokumentacionin dhe po i komunikonin shkeljen dhe masën administrative drejtuesit të mjetit “Audi”, shtetasit Gj. T., 28 vjeç, banues në Kosovë, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu dhënë një kartëmonedhë 20 euro.
Punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin e këtij shtetasi në DVP Lezhë dhe në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë bërë arrestimin 28-vjeçarit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të kufizojnë shpejtësinë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, por të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.