Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Nga 1 shtatori hyn në fuqi ligji që legalizon kriptomonedhat, Shqipëria e treta në Europë që i rregullon

Është botuar në Fletoren Zyrtare ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat. Ligji, i cili ishte kthyer nga Presidenti i Republikës, si një rrezik për pastrim parash, pritet që të hyjë në fuqi në 1 shtator.

Në po të njëjtën Fletore Zyrtare është miratuar dhe vendimi i Kuvendit që rrëzon dekretin e Presidentit, duke i hapur rrugë përdorimit zyrtar të monedhave virtuale në vend. Shqipëria bëhet në këtë mënyrë një nga të paktat vende të Europës që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale.

Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019, sipas relacionit që shoqëron projektligjin.

Ligji synon të bëjë rregullimin, ndalimin në rast abuzimi dhe marrjen e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende, si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.

Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.

Relacioni, që shoqëroi ligjin, pranonte se siç ka përfitime ka edhe rreziqe

“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në relacion.

Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.

Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.

Blockchain shmang rregullatorët, rrezik për pastrim parash

Blockchain është një teknologji e re dhe jo më e thjeshta për t’u kuptuar. Kjo teknologji vlerësohet se do të kërkojë vite për t’u zbatuar nga komunitete shumë më të edukuara nga pikëpamja financiare se Shqipëria për të zgjidhur problemet me standardet e sigurisë dhe për të kthyer reputacionin nga hakerimet e fundit.

Blockchain premton t’ia kthejë kontrollin e data njerëzve, por kjo së paku kërkon besimin në teknologji. Paradoksi këtu është se blockchain, në fakt, shmang pikërisht nevojën për të besuar dhe heq hallkat ndërmjetëse, si për shembull noterët, siguruesit dhe bankierët,duke na kërkuar që të besojmë në teknologji. Por si mund të besosh në teknologji, nëse kodet e blockchain janë thyer në mënyrë të përsëritur.

Nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh pa kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat / shoqëritë financiare që duhet të njoftojnë në kohë reale pastrimin e parave për transaksione mbi 10 000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash.

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *