Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, përmes një videomesazhi nga sheshi Skënderbej ku po ngrihet qendra e vaksinimit masiv, ka dhënë detajet se si do të kryhet procesi I marrjes së dozave anti-Covid në të gjithë vendin.
Manastirliu bëri me dije se ditën e nesër në qendrën e sapo ngritur në Sheshin Skënderbej është vendosur të bëhet vaksinimi i 800-1000 personave. Ministrja ftoi të gjithë qytetarët e interesuar për të marrë vaksinën të kontaktojnë me mjekun e familjes, i cili më pas do t’i njohë me qendrën shëndetësore dhe datën kur do të mund ta bëjnë marrjen e vaksinës.
“Jemi drejt përfundimit të ngritjes së qëndrës së vaksinimit në sheshin Skënderbej, ku parashikojmë vaksinimin e 800 deri në 1000 personave të moshuar ditën e nesërme. Objektivi ynë është që të vaksinojmë rreth 10 mijë persona në ditë në të gjithë vendin.
Ftoj të gjithë të interesuarit të kontaktojnë me mjekun e familjes dhe ai do tu japë të gjitha detajet, për orën dhe datën që do të vaksinoheni. Do të kemi dy ndarje, dy dhoma, dy çadra. Do jenë dhjetë pika të regjistrimit dhe vendet post-vaksinimi kur do të qëndrojnë të gjithë ata që injektohen, për tu monitoruar. Do të punojmë gjithë natën për ta bërë gati me të gjitha materialet që duhen.
Do të jenë edhe ambientet e ruajtjes së vaksinave dhe ekipi i vaksinatorëve është i trajnuar, nga nesër do të kemi në mbështetje edhe mjekë dhe infermierë të FA që do jenë në ndihmë të ekipeve të vaksinuesve”, tha Manastirliu.