Një 28-vjeçare, e cila ishte 5-muajshe shtatzënë ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar si pasojë e koronavirusit në vendin tonë.
Viktima është identifikuar si E.Dalipi, e cila prej një jave ishte e infektuar me Covid-19, raporton gazetarja e Fax News Fjona Çela. Burime bëjnë me dije se fillimisht ka qëndruar në shtëpi pasi kishte frikë të mjekohej sepse mendonte që do të dëmtonte fëmijën.
Më pas, me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore është shtruar në Infektiv ku për tre ditë ka qëndruar në terapi intensive, pastaj e kanë kaluar në reanimacion qendror për shkak të rëndimit të situatës.
Në momentin kur është kryer ndërhyrja për ti hequr fëmijën, 28-vjeçares i nisi hemorragjia dhe mjekët e kishin të pamundur që të shpëtonin jetën e foshnjes dhe të nënës.
Emanuela Dalipi rezulton e afërme me 16-vjeçaren Blerta Pepa që ndërroi jetë rreth në vitin 2017 pas një operacioni në gju.
Bashkëshorti i Emanuela Dalipit, Artenisi, nga Pogradeci por që jeton në Tiranë, ka folur për Fax News duke thënë se e ndjera nuk i përballoi dot pasojat e virusit duke u larguar bashkë me foshnjen që kishte në bark para kohe nga jeta.
“Jemi prej 5 vitesh të martuar. Emanuela punonte në një qendër kozmetike, unë punoj tek ish-parku i autobuzave. Para dy javësh iu shfaqën simptomat, e mbajtëm në shtëpi, por gjendja u përkeqësua. U detyruam ta dërgonim tek Infektivi, mjekët bënë gjithçka por nuk ia dolën ta mbanin në jetë.
Ka vdekur dje, sot e sollëm në banesën e prindërve të saj për pak orë dhe pastaj e nisëm për në banesën e fundit. Nuk duam të flasim para kamerave, është një fatkeqësi që na ka ndodhur, familja e saj është përballur edhe para 3 vitesh me vdekje tjetër, motrën e Emanuelës. Vdiq për shkak të sasisë së madhe të amnestezisë për operacionin në gju që po bënte në një spital privat. Prindërit e saj janë trishtuar, s’di ç’të themi më tepër”, tha Artenisi për Fax News.
(A.M/Faxweb.al)