AktualitetFlashTe FunditTe Gjitha

Në kujtim të profesorit Qazim Turdiu, “babai” i mësimdhënies së matematikës

Qazim Turdiu lindi në Tiranë më 7 qershor 1917. Pasi kreu Gjimnazin e Tiranës, vazhdoi studimet e larta për matematikë në Universitetin e Montpellier të Francës, ku u diplomua më 1939. U kthye në Shqipëri pas okupacionit italian (1939) si i dyti shqiptar me shkollim të plotë në matematikë, dhe u emërua si pedagog në Gjimnazin e Shkodrës (1940 -1942) dhe më vonë në Gjimnazin e Tiranës me detyrën e zëvendësdrejtorit (1943).U nderua me detyrën e mbartjes së eshtrave të Naim Frashërit në ceremonitë e rikthimit të tyre në Shqipëri. Ndërhyri te mëkëmbësi i mbretit, Jacomoni, për t’u shpëtuar jetën gjimnazistëve komunistë të kapur nga italianët.

Si një nga intelektualët e njohur të kohës, refuzoi kërkesën për të marrë pjesë në luftën Nacional Clirimtare për shkak të çështjes së Kosovës dhe aleancës së komunistëve shqiptarë me jugosllavët. Me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik (1948) ishte ndër të parët pedagogë të tij. Në vitet 1958-1960 kreu studime pasuniversitare në Universitetin Lomonosov të Moskës. Me hapjen e Universitetit të Tiranës (1957) Qazimi ishte pedagog i tij dhe në këtë vend punoi deri më 1983.

Qazim Turdiu ishte themelues i mësimdhënies së matematikës në shkollat e larta. Gjatë karrierës së tij 44 vjeçare edukoi me mijëra kuadro dhe fitoi famë për nivelin e komunikimit në auditor dhe objektivitetin në vlerësimin e studentëve. U shqua si didaktist e metodist i matematikës, duke dhënë ndihmesë të madhe në rritjen e nivelit shkencor dhe në kualifikimin profesional të mësuesve të lëndës së matematikës. Njihet si autor i shumë programeve shkollore, teksteve dhe monografive, duke përfshirë ato mbi metodikën e matematikës, gjeometrinë analitike, analizën matematike, trigonometrinë plane, historinë e matematikës, etj. U dallua si mbrojtës i traditës së shkollimit perëndimor dhe influencoi në ruajtjen e objektivitetit profesional të shkollës kundrejt tendencave të sistemit komunist për politizim ekstrem.

Gjatë periudhës së regjimit komunist pësoi sulme të vazhdueshme nga hallkat e regjimit për shkak të origjinës së tij klasore prej ish-shtresave të larta dhe dy vëllezërve të tij të “arratisur” (Dr. Faik Turdiu dhe Dr. Ramazan Turdiu).
Më 1956 u martua me Asime Pipën (1931-1999), nga familja Pipa e Shkodrës dhe pati dy fëmijë (Parid, 1958 dhe Silva, 1961). Fejesa (1981) e bijës së tij, Silva Turdiu, me birin e kryeministrit Mehmet Shehu e dënuar nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha u bë preteksti për fundin tragjik të familjes Shehu. Më 1983, pas botimit të librit të Enver Hoxhës “Titistët”, ku sulmoheshin familjet Turdiu dhe Pipa si të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hakmarrja e regjimit përfshiu edhe Prof. Qazim Turdiun e familjen e tij.
Qazim Turdiu vdiq në Tiranë, më 8 prill 1989. Mijëra vetë morën pjesë në varrimin e tij, duke sfiduar regjimin. Pas rënies së komunizmit, shteti pluralist shqiptar ia përjetësoi kujtimin duke i dhënë emrin “Qazim Turdiu” një shkollë 9 vjeçare në Tiranë.

Qazim Turdiu mban titullin Profesor, Mësues i Popullit, laureat i Urdhrit Naim Frashëri të Klasit të Parë dhe Qytetar Nderi i Tiranës.

Vepra kryesore:

Matematika si shkencë dhe si lëndë shkollore
Metodika e algjebrës
Burimi: Gazeta Vatra

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.