Ndërkohë që në Shqipëri, festohet si ditë pushimi, në Kosovë, janë organizuar protesta ditën e sotme nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.
Punëtorët të cilët kanë dalë në protestë, kanë kërkuar më shumë të drejta, trajtim më të denjësishëm dhe gjithashtu që rroga minimale të ishte jo më e ulët se 350 euro.
Jusuf Azemi, udhëheqës i kësaj sindikate ka kërkuar sigurime shëndetësore dhe paga më larta. “Synimet tona në të ardhmen janë që të mos ketë pagë nën 350 euro. Punëtorët duhet të vetëdijesohen, duhet ta vlerësojnë punën që bëjnë”, ka thënë ai.
Në mesin e kërkesave tjera, anëtarë të Sindikatës kanë përmendur edhe nënshkrimin e kontratës kolektive, themelimin e gjykatës së punës, themelimin e fondit për punëtorë, që kanë humbur jetën në vendin e punës, trajtim të barabartë me punëtorët e sektorit publik e tjera.
Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Vlerësohet se në të punojnë mbi 220 mijë punëtorë. Paga mesatare në sektorin privat është nën 350 euro.