Ashtu si në qytetin e Gjirokastrës dhe Beratit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar rinumërimin e votave në të 6-a ZAZ-të e qarkut të Durrësit.
Duke deklaruar se kanë konstatuar shkelje, ky subjekt politik ka ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatin për këtë qark.
Sipas asaj që shkruhet në dokumentin zyrtar, janë konstatuar fletë votimi pa vula, tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës dhe mungesë filmimi me kamera në një qendër votimi, respektivisht QV nr.1257.
Sakaq, sipas LSI, ka kontradita në atë se çfarë janë parë në filmime me ato se çfarë janë shkruar në proces-verbale.
Bëhet fjalë për 136 vota, me të cilat Elona Guri, nr. 1 në listën e kandidatëve të LSI për qarkun e Durrësit, mund t’ia “rrëmbente” mandatin kryeministrit Edi Rama, për të siguruar kështu 1 mandat për këtë subjekt politik.
Sipas LSI, këto 136 vota i kanë siguruar, sepse i kanë parë në filmimet e mbledhura, por nuk rezultojnë të deklaruara në proçes-verbalë.
Ne kete menyre, LSI ka kërkuar ditën e sotme rinumërim të votave në te gjithe qarkun e Durrësit, duke konfirmuar pretendimin se procesi zgjedhor ne 25 prill nuk ka qene i rregullt.
(E.H/Faxweb.al)