Ish-deputeti Eduart Ndocaj foli për Fax News në lidhje me shoqërimin e tij në polici duke sqaruar me detaje incidentin që ndodhi paraditen e sotme në eventin e përurimit të muzeut të Gjergj Fishtës. Ndocaj tha se ishin ngritur 3 postoblloqe që ndalonin cdo person që nuk kishte lidhje me qeverinë që të ishte i pranishëm.
Ndonëse bëri kërkesë që të mos e preknin se së fundmi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, nga e cila nuk e ka marrë veten ende, Ndocaj thotë se nuk e morën aspak parasysh pasi i shërbejnë vetëm pushtetit.
“Ishte në kërkesë të Pjerin Ndreut që dha urdhër të largohen njerëzit e padëshiruar për pushtetin aktual. Gjergj Fishta nuk është as i Edi Ramës, as i Pjerin Ndreut. Isha ftuar nga drejtori që kishte organizuar eventin, jam telefonuar sot në mëngjes. Por edhe sikur të mos e kisha këtë ftesë, nuk është kundravajtje penale për të qenë në një ceremoni ku merr pjesë kryeministri që është si qytetarët e tjerë.
E kishte bërë me postoblloqe sikur po vinte kryeministri. Nuk kishte nevojë të kishte 3 postoblloqe. Të parin e kalova, por kur shkova tek rrethimi i ndërtesës, ishte Garda e Republikës me një përfaqësues të kryeministrisë që thanë ku e keni ftesën. I thashë drejtori më ka ftuar dhe erdhi drejtori Paulin Zefi duke i thënë e kam ftuar unë dhe po e sistemojmë këtë punë. Në atë moment vjen kryetari i bashkisë dhe thotë njerëzit e paftesë sdhe të padëshiruar në këtë takim të largohen menjëherë, i dha urdhër drejtorit të policisë.
Drejtori i policisë arrestoi dhe një gazetar të Lezhës. Urdhri kishte dalë nga kryetari i bashkisë. Më thanë do të largojmë me dhunë. I thashë mos bëni gabim se jam i sëmurë dhe jam i operuar, mos më prekni me dorë i thashë ju lutem. Nuk e morën parasysh këtë se i shërbejnë pushteti dhe pse është i kalbur qorrazi”, tha Ndocaj.
Ndërsa i pyetur për konfliktet me Ndreun, ish-deputeti tha se janë vetëm politike, si dhe zbuloi se dhimbjet ishin të mëdha për shkak të dhunës së egër. Ndocaj theksoi se do të denoncojë Policinë e Shtetit dhe Pjerin Ndreun.
“Patjetër se kam qenë kundërshtar politik. Nuk kam armiqësi me Pjerin Ndreun, pavarësisht Ndreu se pas akuzave të Berishës është i akuzuar për tentativa vrasje, vjedhje, mashtrime, për të gjitha. Kjo ka qenë ajo që më tepër kemi qenë kundërshtarë politik, që të mos kemi një hajdut në qytetin tonë. Përvec se politikë, tjetër gjë nuk kemi pasur me aq sa di unë. Me avokatin kemi marrë vendim që të denoncojmë dhunën e policisë.
Do e ndjek në të gjitha mënyrat. Jam marrë me dhunë nga një vend dhe pse isha i sëmurë. Dhuna ishte e egër dhe dhimbjet ishin të mëdha. Nuk më dhanë ndihmën e shpejtë e as më dhanë mundësinë të merrja një avokat apo familjen në telefon. Do të padis Policinë e Shtetit dhe Pjerin Ndreun për abuzimin me postin e tij”, tha Ndocaj. (A.M/Faxweb.al)