Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh i revoltuar me mënyrën sesi qeveria po e menaxhon situatën pas tërmetit. Gjatë një takimi të zhvilluar me familjet e prekura nga tërmeti në zonën e Plazhit në Durrës, Basha u shpreh se me dhjetëra qytetarë nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë.
Sipas tij, ata po rrinë jashtë në të ftohtë duke pritur, edhe pse janë mbushur 2 javë nga tërmeti sepse ndihmat shkojnë tek miqtë e qeveritarëve.
“Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qënë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “ kuponin”. Në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake.
Nese nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre. Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën”, deklaroi Basha në një postim në “Facebook”.
Ai akuzoi qeverinë se nuk po merr asnjë masë që gjërat të marrin rrjedhën e duhur, por thjesht po tallet çdo ditë me fatkeqësinë.
“Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se “nuk na ka ardhur asnjë ekspert për të vlerësuar nëse banesa është apo jo e banueshme”; “nuk kemi marrë asnjë ndihmë”; “jetojmë në qiell të hapur; “shteti nuk ekziston”, qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim. Vetëm shou. Vetëm batuta. Vetëm përqeshje me fatkeqësinë. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë”, tha Lulzim Basha.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
(M. I./ Faxweb.al)