Dita e Sulltan Novruzit bie një javë mbas festës së Ditës së Verës, 22 – 25 mars dhe festohet për nder të lindjes së Profetit Imam Ali. Ka emërtime të ndryshme sipas krahinave dhe konfesioneve fetare: si “Vangjelizmoi”, 25 mars (tek popullsia orthodokse), Novruzi, 22 mars (tek muslimanët dhe bektashinjt), Dita e Zojës, 25 mars (tek katolikët). Festimet zgjasin tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. 22 Marsi bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita dhe nata bëhen njëlloj (ekuinoksi pranveror), pra simbolizon ardhjen e pranverës. Bektashinjtë njohin vetëm dy stinë (sipas traditës) pranverën dhe dimrin.
Kjo ditë festohet kudo ku jetojnë e predikojnë besimtarë bektashianë. Festa fillon qysh në sabah, “pa then sabahu bismilah”. Gratë e nuset e shtëpisë hapin dyert e dritaret. Shkojnë e mbushin shtamat me ujë dhe derdhin ujë me bollëk në pragjet e shtëpisë, për të pastruar të ligat nga shtëpitë e tyre e për tí gjetur mbarë e pastër kjo festë. Festa e Sulltan Novruzit simbolizon “shpëtimin e të varfërve dhe njërëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja”.
Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim të varfërit, të vobektit, të verbrit, të mjerit e kujtdo që lëngon nga shëndeti i keq. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Lindja e profetit Imam Ali kurrsesi nuk lejon që njeriu të kursej ndihmën, “sadakanë për shpirt”.
Në këtë ditë edhe hasmi po të kërrciti te shtëpia prite si të thotë Imam Alia! Në këtë festë besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe fallen për më shumë shëndet, mbarësi e bollëk.
Sot, në këtë datë e më tej ndalohet prerja e druve a çdo gjë nga bimësia e njomë, mos punimi i tokës, se sipas bestytnive mendohej se “ajo është me barrë”. Kryhen rite të ndryshme që kanë të bëjnë me yshtje.
Fëmijët përzën gjarpërinjtë nga oborret e kopshtet duke tringëlluar kambana, zile, teneqe, duke fishkëllyer nëpër ara apo kopshte, por edhe duke kënduar këngë yshtjeje. Fëmijët bëjnë vizita nëpër shtëpia duke kënduar:
“Mirësevjen, mirësevjen Novruzi Sulltan,
Mirësevjen, mirësevjen Novruzi Sulltan,
Merhaba, merhaba Novruzi Sulltan,
Merhaba, merhaba Novruzi Sulltan.
Sill gëzim e mbarësi, nuse me fëmijë,
Sill shëndet e lumturi, Novruzi Sulltan…etj.
Pas këngës gratë e shtëpive u japin fëmijëve vezë të ziera, arra, bukë me grurë etj.
Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat. Ai do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Këtë ditë bëhet kurbani i cili ndahet në 3, 7 ose 12 nishane (numra profetikë) dhe me gjakun e kurbanit ngjyhet balli dhe pëllëmba e djathtë për tu mbrojtur nga e liga e dashakeqët. Gjithashtu gatuhet edhe përsheshi me pulë ose mish qëngji, qingji i pjekur.
Sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumshti, që është simbol i qumshtit të nënës, orizi që sibolizon drithrat, bollëkun. Këtë ditë merret edhe pak sherbet i kënduar në teqe dhe u jepet nga një lugë pjestarëve të familjes, miq e të ftuar në shtëpi atë ditë. Kjo me besimin se çdo kujt i dëshirohet mbarësi. Në disa raste për këtë festë gatuhet edhe kabuni (oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).
Qysh herët në mëngjes nuseve të reja e fëmijëve u jepet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re, shëndet e sa më shumë qumësht gjiri për nuset që do të lindin fëmijë. Quhet e Zotit kur në këtë ditë zonja e shtëpisë shpërndan qumësht, i cili kuptohet si bardhësi e bollëk edhe për të varfërit e të vobektit. ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.
Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi cmirën, vesin e ligësinë, përciell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare. Nuk ka rëndësi se çfarë kubani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira dhe të ndahet me këdo që është në nevojë e kërkon ndihmë.
Në këtë ditë të shënuar për besimtarët bektashinjë nuk kanë munguar dhe urimet nga kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi
“Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”, shkruan kryeministri Rama në facebook ku ka shpërndarë dhe foton e Imamit Ali.
Me rastin e 22 Marsit, Ditës së Sulltan Novruzit dhe 30-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Me këtë rast, Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar.
“I dashur Baba Mondi,
Ju falenderoj nga zemra për ftesën për të marrë pjesë në veprimtaritë që kremtojnë Ditën e Sulltan Novruzit dhe 30 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Për shkak të angazhimeve të mia zyrtare, e kam të pamundur tiu bashkohem në këtë gëzim fizikisht. Me zemër jam atje dhe gëzoj e lumturohem bashkë me ju.
Dy ngjarjet e shënuara, të cilat festojmë sot, zbukurojnë jo vetëm jetën e bektashinjve, por të të gjithë shqiptarëve, në këto kohë të vështira të pandemisë, kudo ku ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, vendet e tjera të rajonit dhe në Diasporë.
Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit.
Këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta.
Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes.
Ju përshendes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.