Replika të forta janë regjistruar gjatë seancës së sotme në Kuvend, ndërmjet deputetit Myslim Murrizi dhe ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj. Shkak për këtë është bërë akuza e Murrizit për disa tendera të dhënë në Ministrinë e Brendshme, që sipas tij i kanë kushtuar buxhetit të shtetit miliona euro.
Më konkretisht Murrizi u ndal te tenderi i dhënies së uniformave, që sipas tij Ministria e Brendshme i dha kompanisë DE, kompani që është e regjistruar në QKB me objekt ”gërdhime dherash”, 23 milionë euro. Sipas Murrizit pas gjithë kësaj fshihet shefi i tenderave në Ministrinë e Brendshme, Mandi Kokoneshi.
“Është kjo kompani e preferuara e të gjitha qeverive, është po kjo firmë që u akuzua nga ju në 2013 për 23 milionë euro që ka marrë nga qeverisja e mëparshme, është po kjo kompani që është për gërdhim dherash që mori 1 milionë euro për tenderat e uniformave në burgje. SPAK të mos flejë gjumë, dhe mos të shkojë te të vdekurit, por të shkojë te këta 3-4 ministrat që i japin tendera uniformash, kompanisë që merret me pastrimin e dherave”, tha Murrizi në Kuvend.
Por nuk vonoi as përgjigja e Lleshajt, i cili tha se Murrizi duhet ti depozitojë akuzat e tij në Kuvend, dge se vetë ai nuk ka firmiosur asnjë tender të tillë.
“Zoti Murrizi me çështjet që ju adresoni duhet të merren prokurorët, nuk i komentoj këto gjëra që ju thoni këtu, pasi unë nuk merrem me asnjë tender, me asnjë shifër, asnjë gjë për të cilat ju më akuzuat mua.
Do tiu ftoja fare thjesht, nëse nuk e dini ua tregoj unë adresën e prokurorisë, dhe shkoni dorëzoni atje ato gjëra që dini, troksini në derën e tyre, dhe mos bëni ju prokurorin, unë sfidoj këdo që i thotë vetes shqiptar, që të gjejë qoftë edhe një nanogramë, lidhje mes atyre që iu thoni dhe figurës sime si ministër i brendshëm. Nëse doni të bëni politikë bataje, jepini dhe gëzojeni atë”, tha Lleshaj gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë që në përgjigjen e dytë të Murrizit, nuk mungoi as ironia, kur deputeti tha se llafet kanë dalë se ministri fle gjumë në kohën kur qarkullojnë lekët në dikasterin që ai drejton, dhe se bën thjesht rolin e titullarit, pasi tenderat janë në dorën e tjetërkujt.
“Së pari nuk vij nga rruga që të kem frikë prokurorinë, kam 30 vite që i shoh në kokërr të syrit, të gjithë ata që kam përballë, së dyti është e sigurt që do tiu çoj në SPAK, së treti unë nuk thashë që e keni firmosur ju tenderin, shumë flasin që ti je në gjumë kur vijnë paratë, e di mirë dhe se kush është personi që i firmos tenderat. Do të thirresh edhe ti në SPAK se je titullar i atij institucioni”, u shpreh Murrizi në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)