Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është shprehur se qytetarët shqiptarë duhet të dinë vlerën e votës dhe të mendojnë të ardhmen e fëmijëve para ‘Iphoni-t’.
“Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre. Ajo që dëgjoj këtu është blerja e votave dhe mendoj që votuesit shqiptarë duhet të vendosin. A është krenaria ime, dinjiteti im, e ardhmja e fëmijëve të mi? A ja vlen që të marr një celular IPHONE ta përdor, a ja vlen për 100 euro? A ja vlen kjo gjë për ofendimin që dikush mund të të thotë se mund të të blejë votën tënde? Mund të blejë jetën tënde?
Nuk mendoj që është kështu. Dhe arsyeja pse kam ardhur në Shkodër, është sepse ky vend ka një histori shumë të vecantë. Është një vend i njerëzve të fortë. Me një ndjesi të fortë krenarie. Dhe mendoj që kur njerëzit mbajnë mend se kush janë, ata kanë për të bërë gjënë e duhur në zgjedhje”, ka thënë Kim.
Në një intervistë për ‘abc’, Kim foli gjithashtu dhe për çështjen e Tom Doshit. Kim u shpreh se fakti që KQZ nuk e përjashtoi Tom Doshin nga kandidimi në zgjedhjet e 25 Prillit nuk do të thotë se është i pafajshëm, duke i dhënë një mesazh prokurorisë. Kujtojmë e Ilirjan Celibashi nuk e përjashtoi nga gara Tom Doshin, duke ia kaluar prokurorisë për verifikim.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të qarta sërish. Kjo nuk është vetëm nga një person apo një individ në qeverinë e shteteve të Bashkuara, por është Sekretari i Shteteve të Bashkuara, i cili e ka përcaktuar personalisht një individ i cili nuk ka zgjedhur të vazhdojë të përfaqësojë popullin shqiptar në Kuvend.
Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është skualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm.
Por thjesht do të thotë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë të reformohet. Dhe ky është nënkuptimi i saj. E dyta, cështja, së bashku me 11 kandidatë të tjerë i është dërguar prokurorisë dhe ne vërtetë presim që prokurorët të bëjnë punën e tyre.
Por në fund, nuk ju përket Shteteve të Bashkuara që të vendosin se kush duhet të jetë në parlament. Nuk janë Shtetet e Bashkuara se kush do të jetë aty, por janë votuesit shqiptarë. Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre” tha Yuri Kim.
(R.G/Faxweb.al)