Mjeku korçar Ilir Bibolli i proceduar pas vdekjes së Xhensila Dukës të cilën e kishte ekzaminuar në një klinikë private në Korçë në dëshminë e dhënë ka shpjeguar të gjithë procedurën e ndjekur prej tij.
I pyetur për mungesën e mjekut anestezist dhe ndjekjen e protokollit të diagnostikimit si një nga shkaqet e procedimit penal ndaj tij, Bibolli është shprehur se, gjatë këtyre ekzaminimeve nuk është aplikuar prania e mjekut anestezist reniamator, pasi dhe dozat e sedacionit, janë të vogla dhe se atë ditë nuk ka patur mjek të tillë në klinikë. Faxweb.al ka siguruar të gjithë dëshminë e mjekut Bibolli në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën nëna e 2 fëmijëve në moshën 39 vjeçare Xhensila Duka.
“Në datën 19 shtator 2020 rreth orës 08:00, kam filluar punë në këtë klinikë si zakonisht. Rreth orës 14:00 të asaj dite në klinikë është paraqitur një paciente me emrin Xhensila Duka, paciente që unë e njihja dhe më parë pasi i kam kryer një procedurë ekzaminimi që quhet kolonoskopi. Pas paraqitje së pacientes me të njëjtat ankesa si para katër vitesh, diarre me gjak, sot ajo erdhi e përgatitur për të bërë këtë procedurë.
Fillimisht, pacientja nuk ka paraqitur ndonjë ankesë përveç diare dhe gjak. U vu në tavolinën e punës nga infermierët Marinela dhe Soena, mbiemrat e tyre nuk i di. Shpjegoj se pacientja ishte e përgatitur me puls oksimetër, matje tensioni dhe seduar me një “ç MIDAZOLAN” dhe një “ç BUZKOPAN”. Më pas unë kam shkuar në dhomën e ekzaminimit dhe kam kryer procedurën që vazhdoj jo më shumë se rreth 10-15 minuta.
Procedura është e fotografuar dhe përgjigja është e shkruar. Është e njëjta diagnozë me atë të katër viteve më parë, për këtë paciente, domethënë rreth 20-25 cm fundore të zorrës ishin vërtet me ulceracione të shumta, siç janë karakteristike për këtë diagnozë, që quhet “kolit ulceroz”.
Procedura, mbaroi dhe unë jam kthyer në dhomën e kompjuterit për të përgatitur përgjigjen, komunikova dy fjalë me familjarët që ishin jashtë dhomës së ekzaminimit dhe konkretisht me motrën e pacientes, e cila sapo kishte përfunduar një procedurë të ngjashme, por për stomakun dhe jo për zorrën, të cilën e vura në dijeni shkurtimisht se procedura përfundoi. Të dyja motrat janë paciente të njohura të miat, sepse i kam parë dhe herë të tjera.
Ndërkohë që përgatisja përgjigjen dhe fotografitë rreth 7-8 minuta ndoshta kishin kaluar nga ekzaminimi, u ngrita dhe shkova përsëri në dhomën për të parë se çfarë po ndodh, sepse pashë të shqetësuara infermieret e personelit dhe kam parë pacienten në krevat pa puls, pa tension dhe filluam urgjent procedurat e masazhit kardiak dhe frymëmarrjes me gojë.
Ndërkohë lajmëruam urgjencën. Procedura e frymëmarrjes vazhdoi rreth 30 minuta. Erdhi Urgjenca dhe mjeku ka përdorur metodat e tij të defibrilatorit, por pacientja nuk doli në gjendje. Përveç shqetësimit, dhimbjes e keqardhjes nuk di çfarë të them. Nga eksperienca ime 30-vjeçare në këto procedura ajo që mund të them është se procedura u krye në një kohë të shkurtër dhe pa trauma”.
Pyetjes se a ka qenë i pranishëm mjeku i anestezist gjatë procedurës së ekzaminimit mjeku tha:
Gjatë këtyre ekzaminimeve nuk është aplikuar prania e mjekut anestezist reniamator, pasi dhe dozat e sedacionit, janë të vogla dhe sot nuk ka patur mjek të tillë.
Gjithashtu ai është pyetur dhe në lidhje me procedurën pas diagnostikimit nëse pacientja duhej të akomodohej në ambiente të tjera dhe nëse e kishte të nevojshme nndonjë shërbim tjetër mjekësor Ilir Bibolli shpjegoi se pas ekzaminimeve të kryera, lihet të qetësohet disa minuta dhe më pas kalohet në një dhomë tjetër në praninë e një infermiereje apo familjarëve për t’u çlodhur, për t’u bërë gati për marrjen e përgjigjes së caktuar.
Gjithashtu ai është shprehur se nuk ka konstatuatr asnjë shqetësim tjetër.
“Unë i kam dhënë një diagnozë në vitin 2017 dhe kjo ishte hera e dytë me të njëjtën diagnozë.”, është shprehur ai duke mos iu përgjigjur dhe pyetjes nëse kishte dijeni mbi shkaqet e vdekjes së viktimës Duka.
Xhensila Duka, 39-vjeçarja nga Korça që humbi jetën në një klinikë private në qytetin juglindor , kishte shkuar 4 ditë më parë bashkë me motrën e saj për të bërë analizë me procedurën e sondës, ku kjo e fundit ia hodhi pa asnjë problem. Xhensila, ose Xheni siç e thërrisnin të gjithë në Korçë, një nga parukieret më të njohura të qytetit, nënë e 2 fëmijëve, nuk mundi të dalë gjallë pas kësaj procedure, ngjarje e ndodhur më 19 shtator.
Ilir Bibolli, mjek në QSUT punon me kontratë edhe në klinikën private në Korçë “Kristi” ku shkon 2 herë në muaj. Në dëshminë e tij, mjeku Bibolli thotë se i kishte paciente prej vitesh të dyja motrat, ndërsa anë momentin që ka aplikuar sondën për zorrën pas problemeve që Xhensila Duka kishte, e ka lënë në të njëjtën dhomë me 2 infermieret dhe ka lëvizur të përgatisë përgjigjen.
Ai thotë se është kthyer me urgjencë nga thirrjet e infermiereve ku Xheni ishte pa puls. Pyetur nga grupi hetimor nëse gjatë ekzaminimit të pacientes duhej të kishte prezent mjek anestezist reanimator, mjeku 69-vjeçar thotë se: atë ditë nuk ka patur mjek të tillë.