Pas shumë debatesh dhe diskutimesh që u ngjallën mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, sapo është miratuar buxheti për vitin 2022. Në këtë mënyrë janë rrëzuar propozimet dhe amendamentet e bëra si nga ish zv.kryeministri Erion Braçe dhe LSI-ja. Sa u përket shifrave konkrete, 77 deputetë votuan pro ndërsa 46 deputetë votuan kundër buxhetit të vitit 2022.
Propozimet e bëra në amendamentet e Erion Braçes i referoheshin ndryshimeve në paketën fiksale, kryesisht të politikave që duhen ndërmarrë në bujqësi për të bërë të mundur që bujqit të lehtësoheshin nga TVSH dhe të nxiteshin prodhimet e tyre. Ndërsa ndër amendamentet e tjera, LSI propozoi edhe rimbursimin e ilaçeve të përdorura gjatë pandemisë së Covid-19.
Gjithashtu mësohet se është miratuar amendamenti i propozuar nga Taulant Balla për Reformën Zgjedhore, nga votat e marra 4 ishin prej deputetëve të PD.
Ky buxhet ka pasur kundërshti të shumta veçanërisht nga fermerët të cilët kanë dalë vazhdimisht në protesta pasi nuk po subvencionohen për prodhimet e tyre dhe për faktin se ka ulje në mbështetjen që qeveria po u jep. Ditën e sotme, protesta e tyre është zhvendosur përpara Kuvendit, ku i ‘zunë pritë’ kryeministrit Rama i cili i ftoi 3 prej tyre në zyrën e tij për të folur lidhur me kërkesat që kishin. Pas takimit, feremerët thanë se kishin konstatuar se kryeministri nuk kishte qenë në dijeni të problemeve reale që kishin.