Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën “arrest me burg” për shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Ridvan Hyseni në fshatin Mushan të njësisë Dajç.
Ndërkohë gjykata ka dhënë masën lehtësuese “detyrim paraqitje” për dy dëshmitaret Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, të arrestuar për “moskallëzim krimi” si dëshmitar në vrasjen e 46 vjeçarit. Ka qenë vetë prokuroria që kërkoi masën detyrim paraqitje për dy dëshmitarët ndërsa për Milkjor Gjokën organi i akuzës kërkoi arrest me burg, masë të cilën e dha gjykata.
Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur duke mohuar akuzat ndaj tij. Gjoka tha se ka qenë rastësisht ne vendin e ngjarjes, në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj që dyshohen si autore të vrasjes së Ridvan Hysenit ose i njohur edhe si Ridvan Ramazani.
Ndërkohë Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të meëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë më lehtesuese por gjykata vendosi “arrest me burg”.
Policia ka shpallur si autorë të dyshuar për ngjarjen dy vëllezërit Hydajet Mehmedaj 33, vjeç dhe Duel Mehmedaj, 31 vjeç, banues në Mushan, Shkodër.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e të shtunës, 28 Nëntor, në zonën e Dajçit në Shkodër pranë një karburanti, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Autorët e dyshuar, gjatë paradites ishin konfliktuar me djalin e Ridvanit dhe më pas dyshohet se ky i fundit ka ndërhyrë për të sqaruar situatën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Trupi i Hysenit u gjet i pajetë brenda një makine.
Edhe pse në vendin ku ndodhi vrasja ka pasur kamera sigurie, burime të policisë thanë se ato nuk kanë funksionuar në momentin e ngjarjes dhe nuk është regjistruar asgjë.
Viktima, Ridvan Hyseni ishte person me precedentë penalë dhe dyshohet të jetë autor i disa ngjarjeve të rënda të ndodhura që prej viteve 2008-2009 në Shkodër.
(E.K/Faxweb.al)