Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher është zhvendosur në një vilë luksoze në Majorca, të cilën e ka blerë bashkëshortja e tij rreth 3 vite më parë nga presidenti i Real Madrid. Më parë, Schumacher po qëndronte në shtëpinë e tij në Zvicër, thonë mediat spanjolle.
Rezidenca ku kampioni do të qëndrojë për të përmirësuar gjendjen shëndetësore njihet si Villa Yasmin, të cilën Corinna Schumacher e bleu në vitin 2017. Ndërkohë mediat spanjolle kanë dhënë detaje për Schumacher duke thënë: “Michael nuk flet, por komunikon me sy”. Ndërsa ish-gruaja e Flavio Briatore, Elisabetta Gregoraci tha: “Vetëm tre njerëz mund ta vizitojnë atë dhe unë e di kush janë. Ata u zhvendosën në Spanjë, gruaja e tij ka ngritur një spital në atë shtëpi”.
Ndërkohë e përditshmja gjermane Bild ishte e para që zbuloi rezidencën e tyre në Majorca. Në korrik të vitit 2018 shkruante se Corina e kishte blerë atë për 27 milionë paund, në mënyrë që të kalonte pushimet me fëmijët dhe miqtë e saj.
Kujtojmë se Schumacher, i vetmi shofer në histori që ka fituar 7 kupa të Formula 1 përfundoi në koma pas një aksidenti me ski në Alpet Franceze që gati i mori jetën në Dhjetor të vitit 2013.(A.M/Faxweb.al)