Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka folur për mediat pas homazheve në nderim të politikanit Bashkim Fino.
Manja u shpreh se ikja e parakohshme e Finos u ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm familjes së tij, por edhe jetës politiko-shoqërore.
Duke kujtuar të gjitha arritjet e Finos, Manja shprehet se ndoshta rastësi dhe Zoti e mori Bashkimin në muajin mars, muaj të cilin ai e dashuronte dhe muajin në të cilin ai u bë kryeministri i madh.
Në fund të fjalës së tij për Bashkim Finon, Manja u largua nga gazetarët duke fshirë lotët.
“Nuk e kam menduar se do të isha sot këtu për ti dhënë lamtumirën e fundit, mikut, kolegut, vëllait tim Bashkim Fino. Bashkim Fino ishte bashkimi, ishte unik në llojin e vetë. La një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen e vetë, por në të gjithë jetën politiko-shoqërore.
Ndoshta qe rastësi dhe Zoti vendosi ta marrë pranë vetes Bashkimin në muajin mars dhe Bashkimi e dashuronte shumë muajin mars. Sepse në marsin e zi të 97’ Bashkim Fino ashtu siç e kishte emrin u bë kryeministri i madh i Pajtimit të madh në ditët më të errtë të kombit.
Mua më ka prerë krahët si kryetari i Komisionit të Ligjeve. E kisha përherë një besim në vetvete sa herë që kisha Bashkimin në krahë, sa herë kisha ato debatet e nxehta politike nuk harroja ta merrja në telefon dhe i thoja “Bashkim nesër të du në Komision vëlla”, ai Bashkimi i mirë, i urtë, fjalëpakë, punëtorë, më besoni Shqipërisë do ti mungojë kryeministri i Pajtimit Kombëtarë, Shqipërisë do ti mungojë një politikan model, mendje mprehtë, nuk i binte fjala në tokë, parlamentit një zë i fuqishëm, PS-së do ti mungojë një copë ADN e veta, Bashkim Fino ishte socialisti dhe qytetari model.
Unë pa diskutim sot bashkohem me dhimbjen e të gjithë kolegëve të mi, familjarëve të Bashkimit të cilët kanë me çfarë krenohen, fëmijët e Bashkimit. Unë besoj ajo karrigia bosh e Bashkim Finos do të na bëjë përherë të reflektojmë dhe për sa kohë të ekzistojë parlamentarizmi në ato salla komisionesh, në atë sallë parlamenti, Bashkim Fino do të jetë i pazëvendësueshëm. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, u shpreh Manja.
Kujtojmë se deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 Prillit.
Fino ndodhej i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por gjendja e tij ishte rënduar shpejt, dhe mjekët e kanë pasur të pamundur që ta mbajnë në jetë politikanin.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajturpo ashtu disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
(R.G/Faxweb.al)