Ish-presidenti i vendit Ilir Meta, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, ka shkuar sot për vizitë ngushëllimi në familjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë në Himarë, teksa u përplas nga skafi që drejtohet nga komisari i policisë Arjan Tase.
Meta tha se ishte i impresionuar nga fisnikëria e familjes Avdia, të cilët pavarësisht tragjedisë që u ndodhi, përcillnin vetëm mesazhe për jetën.
Ish-presidenti u shpreh se përgjegjësi direkte për ngjarjen kanë të gjitha institucionet, që nga ministritë e linjës, policia dhe vetë Bashkia e Himarës. Sipas tij ligji për ndalimin e lundrimit të mjeteve në afërsi të bregut është në fuqi, por ai nuk është zbatuar.
Ilir Meta:
Është një rast i pangushëllueshëm, një tragjedi e jashtëzakonshme, tepër tronditëse, për çdo shqiptar, aq më tepër për familjen Avdia, për babain që e përjetoi aq pranë atë tmerr, për vëllanë, për gjyshin, që mezi priste mbesën, që ti tregonte se kishte përmirësuar gjuhën shqipe, e madje bënte dhe shqiponjën.
Jam impresionuar nga fisnikëria e asaj familje, ishte një tragjedi që nuk ka ngushëllim, jo vetëm nga personi që drejtonte skafin, por edhe nga shteti, nga Bashkia nga qeveria, është një ngjarje e paralajmëruar.