Është e vendosur, nga data 1 janar i viti që vjen nuk do të lejohet më importi i makinave të përdorura me vjetërsi më shumë se 10 vite nga data e prodhimit.
Ky projekt i prezantuar nga Ministri Blendi Klosi, është përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe prezantuar në ditën pa makina.
Në fjalën e tij ministri Klosi tha se projektvendimi nuk prek makinat e përdorura mbi 10 vjet prodhim që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019.
“Makinat e vjetra, të përdorura, më të vjetra se 10 vjet nuk do të lejohen të futen në Shqipëri që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe po ashtu në dakordësi më komuntietin kemi përcaktuar një periudhë 5 mujore për të cilën do të lejohet që makinat që janë futur sot në Shqipëri të targohen.
Dhe nuk është një numër i vogël, por janë 60 mijë makina që kanë hyrë në Shqipëri dhe në bazë të informacionit që vjen nga drejtoria e transporteve, kanë hyrë në Shqipëri, janë zhdoganuar por nuk janë targuar dhe të lihet një periudhë 5 mujore për t’u bërë ky targim dhe 5 muaj nga hyrja në fuqi e këtij projektvendimi, as targimi nuk do të lejohet më, pra do të kemi një kufizim të plotë të makinave të përdorura më shumë se 10 vjet”, – është shprehur Klosi.
(B.B/ Faxweb.al)