Skënderbeu dhe Shkëndija e Tetovës kanë mësuar emrat e gjyqtarëve të cilët do të drejtojnë ndeshjet e kthimit të play-off të Ligës së Europës.
Kuptohet që në këtë pikë të turneut, skuadrat do të drejtohen nga emra të njohur dhe me eksperiencë me arnën ndërkombëtare dhe në rastin e Skënderbeut, një hungarez i cili u bë protagonist i një episodi i cili ndikoi që të ndryshonte përgjithmonë futbolli botëror.
Ndeshja e kthimit kundër Dinamos së Zagrebit që luhet të enjten në Elbasan do të drejtohet nga hungarezi Istvan Van. 38-vjeçari, me stemën e FIFA-s prej 10 vitesh, ka drejtuar në nivelet më të larta si në nivel klubesh ashtu edhe kombëtaresh gjatë karrierës së tij. Por ai do të hyjë në histori për një episod gjatë ndeshjes së Euro 2012 mes Anglisë dhe Ukrainës, që bindi përfundimisht për aplikimin e teknologjisë së vijës së portës.
Istvan Vad ishte asistent i linjës në atë ndeshje që përfundoi 1-0 në favor të anglezëve, por mes protestave të ukrainasve për shkak të një gabimi të hungarezit. Ai nuk sinjalizoi golin e barazimit për ta, kur Terri largoi topin nga vija e portës pas një gjuajtje të Deviç.
Vendimi i Vad ishte i gabuar dhe erdhi në një moment kur ishte ndezur diskutimi për teknologjinë në vijën e portës dhe UEFA argumentonte se gjyqtarët shtesë mjaftonin për të siguruar që gjëra të tilla të mos ndodhnin.
Menjëherë pas këtij episodi, presidenti i FIFA-s, Sep Blater, dha një mesazh më se të qartë në “Twitter”. “Teknologjia e portës nuk është më një alternativë, por një nevojë”, shkroi ai. Pak ditë pas përfundimit të Europianit, FIFA zyrtarizoi përdorimin e teknologjisë e cila aplikohet tashmë gjerësisht në aktivitetet madhore ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij si gjyqtar, Vad ka drejtuar një herë edhe përfaqësuesen shqiptare, në ndeshjen e humbur me rezultatin 1-0 ndaj Sllovenisë në eliminatoret e Botërorit 2014.
Skënderbeu-Dinamo Zagreb
Gjyqtar: Istvan Vad (Hungari)
Asistentë: Istvan Albert, Peter Beretjan
Gjyqtar i katërt: Ferenc Karako
Delegat i UEFA-s: Kuanish Kanapjanov (Kazakistan)
Vëzhgues i gjyqtarëve: Luk Vilmes (Luksemburg)
Ndërkohë, ndeshja e kthimit mes Shkëndijës së Tetovës dhe Milanit në Shkup do të drejtohet nga Rumuni Istvan Kovacs. 32-vjeçari mbaj prej 7 vitesh stemën e FIFA-s dhe ka arritur të gjykojë ndeshje deri në fazën në grupe të Ligës së Europës. Në një total prej 41 ndeshjesh ndërkombëtare, ai ka një mesatare prej 4,56 kartonësh të verdhë për ndeshje dhe 0,37 të penalltive të akorduara.
Shkëndija Tetovë-Milan
Gjyqtar: Istvan Kovacs (Rumani)
Asistentë: Vasile Florin Marinesku, Mihai Ovidiu Artene
Gjyqtar i katërt: Ionut Marius Avram
Delegat i UEFA-s: Roland Tis (Belgjikë)
Vëzhgues i gjyqtarëve: Marinus Kopman (Holandë)