Pas deklaratës së kryeministrit se do të lejojë punësimin e e të huajve në bizneset në Shqipëri ku tha se do të punësojë persona nga Bangladeshi në vend të shqiptarëve sepse nuk kuptojnë gjuhën dhe nuk do të marren me thashetheme ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Kryemadhi ka folur në lidhje me deklaratën e Ramës gjatë një takimi me banorët e Peqinit dhe e ka konsideruar këtë urrejtje për qytetarët e Shqipërisë dhe një dëshirë për të zhdukur historinë.
“Ne kudo që shkojmë, e fillojmë ditën nga mëngjesi deri në darkë, edhe në këto kushte pandemie, të cilat kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë, ndërkohë që kemi një Kryeministër i cili ka një urrejtje patologjike për njerëzit e tij, se mjafton të dëgjosh dy deklarata absurde, kriminale, sikurse është e para që kush nuk me voton mua, kush nuk më përkrah mua nuk bën vaksinën, sikur i ka vaksinat e veta ky.”, ka thënë Kryemadhi.
Kryetarja e LSI e ka quajtur deklaratën e Ramës absurditet duke theksuar se Kryeministri nuk i konsideron qytetarët e tij dhe se ka një ‘neveri’ ndaj gjuhës shqipe.
“Jo për çështje racizmi, e as diskriminimi, por si mund të largosh ti njerëzit e tu, qytetarët e tu, fëmijët e tu dhe u thua edhe mos mësoni as shqipen, pra ky njeri ndien neveri edhe për gjuhën shqipe. Ky ndjen neveri për çdo gjë që është shqip.”, ka shtuar Kryemadhi.
Monika Kryemadhi ka vënë theksin tek kjo deklaratë e kryeministrit duke i qëndruar idesë se kjo është urrejtje ndaj popullit shqiptar dhe ka kërkuar të kthehet vëmendja tek punësimi të rinjve në Shqipëri.
Deklarata e Monika Kryemadhit
25 prilli nuk ka të bëjë thjesht me vajtjen për të votuar për një parti politike apo me një flamur politik. 25 prilli ka të bëjë me pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje. Duke rritur pjesëmarrjen, ajo është një avantazh që njerëzit i përfshin në vendimmarrje, sepse njerëzit nëpërmjet votës ndëshkojnë atë që i ka gënjyer dhe që nuk ka mbajtur premtimet, dhe përsëri nëpërmjet votës vlerësojnë politikanin, individin apo partinë politike që ata i përfaqëson më mirë.
Në fakt, problematikat që kanë sot qytetarët janë të jashtëzakonshme. Ne kudo që shkojmë, e fillojmë ditën nga mëngjesi deri në darkë, edhe në këto kushte pandemie, të cilat kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë, ndërkohë që kemi një Kryeministër i cili ka një urrejtje patologjike për njerëzit e tij, se mjafton të dëgjosh dy deklarata absurde, kriminale, sikurse është e para që kush nuk me voton mua, kush nuk më përkrah mua nuk bën vaksinën, sikur i ka vaksinat e veta ky. Ky edhe mjek, edhe infermier, edhe farmacist, të gjitha i bën ky dhe bën një kërcënim të tillë haptas, që për hir të së vërtetës, po të kishte një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakapur, gjëja e parë që do të bënte do të ishte jo vetëm largimi nga detyra, por do ta merrte dhe të pandehur për shantazh dhe për gjenocid, sepse në një farë mënyre ky është një gjenocid politik.
Dhe nga ana tjetër, absurditeti tjetër pastaj që ky njeri nuk i konsideron më qytetarët e tij, i zëvendëson dhe pa pikë turpi thotë që ne do të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, etj. Jo për çështje racizmi, e as diskriminimi, por si mund të largosh ti njerëzit e tu, qytetarët e tu, fëmijët e tu dhe u thua edhe mos mësoni as shqipen, pra ky njeri ndien neveri edhe për gjuhën shqipe. Ky ndjen neveri për çdo gjë që është shqip.
Ndaj ajo që dua të theksoj edhe që është problematike është urrejtja që ky njeri ka për qytetarët e tij, e ka treguar tashmë. Sepse sot qytetarët shqiptarë paguajnë taksa më të larta se ç ‘kanë paguar më parë, sot qytetarët shqiptarë çmimin e energjisë e kanë më të shtrenjtë. Rrogat sot qytetarëve shqiptarë jo vetëm që nuk u janë rritur, por u janë mbyllur bizneset. Sot qytetarët shqiptarë kanë çmimin e naftës më të lartë se kudo tjetër. Sot fermerët shqiptarë hedhin gjithë prodhimin e tyre në rrugë.
Ne këtu në qytetin e Peqinit për shembull e dimë shumë mirë se si ka ngelur stok vaji i ullirit. As me 3 mijë lek litri nuk ia blejnë. Pra, çdo gjë që ndodh sot këtu në Shqipëri, ky njeri thotë që është faji i shqiptarëve, dhe jo faji i tij. Që nuk është faji i tij që nëpërmjet koncesioneve ka varfëruar shqiptarët. Nuk është faji i tij që nëpërmjet politikave që ka ndërtuar ky zotëri ka larguar shqiptarët.
Ndaj ne duhet ti japim më shumë mundësi njerëzve të rinj, përfshirjes së të rinjve dhe të rejave, ndaj unë jam shumë e kënaqur që Ermiri është bërë pjesë e listës sonë të LSI-së, për të dhënë kontributin e tij jo vetëm familjar dhe intelektual, por për të dhënë edhe atë trashëgimi familjare që ka, atë kulturë të mirë për të cilën ne kemi nevojë, politika ka nevojë, ka nevojë historia, ka nevojë edhe memoria jonë qoftë kjo historike, emocionale dhe kulturore. Sepse ne pak nga pak po mbyllim faqet e historisë sonë dhe nuk po e lexojmë më. Pak nga pak ne po largohemi nga memoria jonë historike, kulturore, familjare.
Edhe Aldin që e kemi këtu sot, që ne duam ti japim flamurin e LSI për të ecur përpara dhe për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për të rejat, për ti dhënë shansin dhe mundësitë, jo vetëm LSI-së, por gjithë brezit të tij, gjithë qytetarëve, gjithë familjes peqinase për të pasur një shans dhe një mundësi për ta zhvilluar më tej.
Ndaj krijimi dhe angazhimi i figurave të reja, i njerëzve të rinj që kanë dëshirë të jetojnë, të punojnë në Shqipëri, në zhvillimin e këtij vendi, do të jetë një nga pikat tona kryesore dhe një nga pikat tona kryesore që e ka karakterizuar Lëvizjes Socialiste për Integrim si një parti, e cila u krijon hapësira të rinjve dhe të rejave, që u hap dyert atyre dhe zhvillohet dhe ecën gjithmonë, siç ka emrin, ashtu është edhe në lëvizje.