Me nismën e presidentit francez Macron dhe kancelares gjermane Merkel, më 10 korrik, zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë. Kurse më 12 korrik në Buksel takohen Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, takon të martön (07.07.), në Paris presidentin francez Emmanuel Macron, njoftoi zyra e kryeministrit kosovar. Pritja zyrtare thuhet në njoftim, “bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize në Paris”, dhe kjo sipas kryeministrit kosovar, “tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Emmanuel Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”.
Vizita në Paris e kryeministrit Avdullah Hoti, bëhet vetëm katër ditë para mbajtjes së një Samiti virtual me 10 korrik në Paris, ku temë qendrore është dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa, me datën 12 korrik në Bruksel rifillon me takime dialogu Kosovë-Serbi, me pjesëmarrjen e palës kosovare dhe asaj serbe. Samiti virtual me 10 korrik organizohet nën lehtësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
“Siç kemi premtuar se do të komunikojmë kur të kemi lajme, tani ka ardhur koha që ta konfirmojmë takimin e rinisjes së dialogut. Unë mund të konsideroj se më 12 korrik në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nikoqir i këtij takimi do të jetë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, e i pranishëm është edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.
Njoftimi për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua vetëm disa ditë pas paraqitjes së një aktakuze nga Prokuroria Speciale për Kosovën me seli në Hagë, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kjo aktakuzë akoma nuk është konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale. Publikimi i këtyre akuzave u bë në prag të një takimi Kosovë-Serbi që ishte planifikuar të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim ndërmjetësohej nga i dërguari special i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Ky i fundit ka paralajmëruar një takim të ngjashëm së shpejti në Shtëpinë e Bardhë, por data akoma nuk është caktuar.
Gjermania dhe Franca dëshirojnë të rigjallërojnë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Samiti mbahet të premten.
Pas takimit të tyre të hënën (29.06.) që shkoi në Berlin, kancelarja Angela Merkel tha në konferencën e shtypit se kishte diskutuar me Presidentin Macron edhe “për Libinë dhe Ballkanin Perëndimor”. Por asnjëri nga liderët nuk e sqaroi më tej në prononcim çështjen e Ballkanit. E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung shprehu me këtë rast idenë se bëhet fjalë për çështjen e refugjatëve. Ndërsa të panjohurën e sqaroi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
Siç njoftuan të dyja qeveritë, të cituara nga mediat gjermane, të premten e kësaj jave është planifikuar një samit me video me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Në të do të marrin pjesë kreu i shtetit serb Aleksandar Vucic, kryeministri kosovar Avdullah Hoti, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borell dhe përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha në Berlin se qëllimi është të mbështesë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së. Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008. Vendet anëtare të BE-së janë gjithashtu të ndara për këtë çështje, shkruan DW në një artikull të saj.