Deputeti, Fatmir Mediu është larguar nga mbledhja e komisionit të ligjeve ku po diskutohet lidhur me hapjen e dosjeve për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Pas përplasjes që pati me kryetaren e komisionit Klotilda Bushka, Mediu ka vendosur të largohet.
Ai kërkoi që kategoria e të përndjekurve politikë të përjashtohej nga hapja e dosjve për zbulimine bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Ai tha se dosjet duhet të hapeshin për gjithësecilin prej politikanëve por duhej të kishte nëj proces korrekt dhe jo të bëhej për të goditur politikisht.
Mes të tjerash, ai “thumboi” edhe Alibeajn duke thënë se kjo nuk duhej të bëhej në kurriz të të përndjekurve politikë.
“Të hapen këto dosje për gjithësecilin, por ne nuk mund të kërkojmë hapjen e dosjeve për ish të përndjekurit politik. Ka histori të tmerrshme të cilat ne nuk mund t’i rindezim. Nuk ka asnjë nga ne të drejtë të kërkojë të diskutojë për qëndrimin apo moralin e atyre njerëzve që u janë persekutuar dhe pushkatuar baballarët dhe njerëzit. Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Vetë shteti funksionon në bazë të ndarjes së psutheteve. Nuk fillon çdo gjë ne kur të na dojë qejfi ne për të goditur politikisht. Kjo nuk është e moralshme. Prandaj do të ishte shumë e drejtë të orientohemi drejt transparencës, por të heqim dorë nga gjykimi i ish të përndjekurve politikë sepse nuk i dimë ne vuajtjet që kanë kaluar këta njerëz”-tha Mediu.