Drejtoria Arsimore e Elbasanit është mbyllur pasi drejtoresha ka rezultuar pozitive me koronavirus. Tamponi i Anila Cotës ka dalë para disa ditësh, ndërkohë që i gjithë stafi është vetë-karantinuar.
Pritet që kontaktet e afërta ti nënshtrohen tamponit. Në përditësimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Elbasani ishte vendi i dytë më i prekur nga Covidi teksa numëronte 19 raste të reja. Aktualisht janë 64 pacientë aktivë, ndërsa që prej fillimit të pandemisë kanë ndërruar jetë 7 pacientë në këtë qark.
Katër pacientë kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në vendin tonë përgjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se nuk e kanë fituar dot betejën një 76 vjeçare nga Shkodra, dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar; një 75 vjeçar dhe një 76 vjeçar.
Ndërsa nga 500 testime të kryera për të dyshuar të prekur nga Covid 19, 124 persona janë konfirmuar pozitiv, shpërndarja gjeografike e të cilëve është si vijon: 33 raste në Tiranë, 19 në Elbasan, 9 në Mirditë, 8 në Lushnje, nga 7 raste Fier, Krujë, 6 në Korçë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Vlorë, Divjakë, 3 në Tropojë, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Pukë, nga 1 rast në Kavajë, Kamëz, Pogradec, Tepelenë, Fushë-Arrëz, Dibër, Malësi e Madhe, Vorë, Maliq, Patos.(A.M/Faxweb.al)